Vuçiq: Protestat kundër hapjes së minierës së litiumit – pjesë e “luftës hibride” kundër Serbisë

Beograd, 11 gusht 2024 – Presidenti i Serbisë akuzoi të dielën protestuesit që kundërshtojnë një projekt për hapjen e një miniere të litiumit në vendin ballkanik, se janë pjesë e një “lufte hibride” të mbështetur nga Perëndimi kundër qeverisë së tij dhe u zotua të ndërmarrë veprime të forta ligjore kundër atyre që kanë bllokuar trafikun hekurudhor dhe rrugor në Beograd, një ditë më parë.

Në një nga protestat më të mëdha në vitet e fundit, dhjetëra mijëra veta dolën në rrugë të shtunën në Beograd kundër minierës së litiumit në Serbi, pavarësisht paralajmërimeve të zyrtarëve për komplotin e supozuar për të rrëzuar presidentin populist Aleksandar Vuçiq dhe qeverinë e tij.

Disa nga protestuesit më vonë bllokuan dy stacione hekurudhore në qytet dhe ndaluan për pak kohë trafikun në një autostradë. Herët të dielën policia i dëboi ata nga stacionet hekurudhore.

Ministri i Brendshëm Ivica Daçiç tha se 14 persona janë arrestuar për t’u marrë në pyetje. Policia po punon për identifikimin e të gjithë autorëve të cilët do të përballen me akuza, tha ai.

Presidenti Vuçiq tha në një konferencë për shtypin se megjithëse protesta kryesore u zhvillua në mënyrë demokratike, bllokimi i trafikut paraqet “terror të pakicës ndaj shumicës”.

“Është pjesë e qasjes hibride” e sajuar për të rrëzuar qeverinë, u tha presidenti Vuçiq gazetarëve. “Ne dinim gjithçka në hollësi. Ju mendoni se e keni befasuar dikë?… Ne kemi qenë gjithmonë të përmbajtur, pa dhunë kemi siguruar rendin në vend, pa problem”.

Më herët gjatë javës presidenti serb tha se ishte informuar nga shërbimet ruse të zbulimit se “trazira masive dhe një grusht shteti” po përgatiteshin të shtunën në Serbi nga fuqi të paspecifikuara perëndimore, që dëshirojnë ta rrëzojnë atë nga pushteti.

Zyrtarët qeveritarë dhe mediat e kontrolluara nga shteti zhvilluan një fushatë të gjerë kundër tubimit, duke e krahasuar atë me kryengritjen e Maidanit në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, që çoi në përmbysjen e presidentit të atëhershëm pro-rus të vendit Viktor Janukoviç në vitin 2013. Organizatorët e protestës në Beograd vazhdimisht i kanë mohuar akuzat e tilla.

Tubimi i së shtunës në qendër të kryeqytetit pasoi disa javë protestash në dhjetëra qytete gjithandej Serbisë kundër një plani të qeverisë për të lejuar hapjen e minierës së litiumit në një luginë bujqësore në perëndim të vendit.

Ky plan ishte anuluar në vitin 2022 pas demonstratave të mëdha që përfshinin bllokimin e urave dhe rrugëve kryesore. Por, ai u ringjall muajin e kaluar dhe mori një shtytje me një marrëveshje të nënshkruar nga qeveria e presidentit Vuçiq me Bashkimin Evropian.

Vendi ballkanik kërkon zyrtarisht anëtarësimin në BE, ndërsa mban lidhje shumë të ngushta me Rusinë dhe Kinën. Marrëveshja me BE-në për minierat e litiumit dhe materialeve të tjera, do ta afronte Serbinë më afër bllokut dhe do të ulte importet e litiumit dhe makinave elektrike në Evropë nga Kina.

Ndërsa qeveria këmbëngul se miniera është një mundësi për zhvillim ekonomik, kritikët thonë se ajo do të shkaktonte ndotje të pariparueshme në luginën e Jadarit.

Presidenti Vuçiq tha të dielën se nuk do të ketë hapje të minierës së litiumi në dy vitet e ardhshme ndërkohë që të gjitha rreziqet janë duke u hetuar, në një përpjekje të dukshme për të qetësuar kritikët. Ai ofroi gjithashtu mundësin për një referendum për këtë çështje, një ofertë që nuk ka gjasa të shqyrtohet nga mbrojtësit e mjedisit, mes supozimeve për rrëfimin për presidentin Vuçiq si keqpërdorues votash në favor të tij.

(Zëri i Amerikës)