Presidentja Osmani bisedon me shefin e KQZ-së mbi përgatitjet për zgjedhjet e reja

Prishtinë, 13 gusht 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka biseduar të martën me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, në lidhje me përgatitjet dhe konsultimet që po bëhen për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta parlamentare, njoftoi Presidenca.

“Kryesuesi i KQZ-së, e njoftoi Presidenten Osmani lidhur me çështjet që sipas KQZ-së është me rëndësi të merren parasysh gjatë vlerësimeve rreth caktimit të datës së zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e zyrës së Presidentes Osmani.

Sipas njoftimit, në këtë takim është diskutuar edhe për mënyrën e votimit nga mërgimtarët dhe për hapat që duhet të ndërmerren në mënyrë që mërgimtarët ta realizojnë këtë të drejtë, siç është përcaktuar me ligjin e ri për zgjedhjet.

“Presidentja potencoi rëndësinë që në ditën e zgjedhjeve të bëhen organizimet e nevojshme për qasje të lehtë edhe për personat me nevoja të veçanta”, thuhet në njoftim.

Në fund të muajit të kaluar, presidentja Osmani i nisi konsultimet me partitë politike për datën e mbajtjes së zgjedhjeve. Pas atij takimi, në të cilin munguan kryetari i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, Presidentja Osmani kishte bërë të ditur se partitë politike kishin propozuar data të ndryshme për mbajtjen e zgjedhjeve.

Tri partitë opozitare (PDK, LDK dhe AAK) kanë propozuar që zgjedhjet të mbajen më 26 janar, të cielën e parë brenda afatit ligjor, i cili zgjat deri më 16 shkurt.

(r.m.)