KFOR bën thirrje për përmbajtje: Nuk do të hezitojmë të veprojmë

Prishtinë, 13 gusht 2024 – Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë thirrje pë vetëpërmbajtje nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione në Kosovë.

Në një deklaratë të lëshuar të martën vonë, pas takimit të komandantit të KFOR-it, Ozkan Ulutash, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, KFOR-i paralajmëron se do të veprojë në rast të cenimit të sigurisë.

“Në të gjithë Kosovën kemi një prani të dukshme dhe fleksibël. Komandanti i KFOR-it ka autoritetin për ta përshtatur atë sipas nevojës dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, thuhet në deklaratë.

Theksi i deklaratës vihet te çështja e Urës së Ibrit në Mitrovicë. KFOR-i kujtoi se në këtë urën ka prani fikse dhe përsëriti qëndrimin se vendimi për hapjen e saj duhet të merret në kuadër të dialogut politik.

“Rikonfirmojmë se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. Ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e ndërmjetësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratë.

“Ne do të vazhdojmë të koordinohemi ngushtë me të gjithë partnerët tanë, përfshirë Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), si reagues të parë dhe të dytë të sigurisë, respektivisht”, thuhet në deklaratën e KFOR-it.

(r.m.)