Prishtinë, 14 gusht 2024 – Gjermania i ka dhënë mbështetje paralajmërimeve të misionit të NATO-s në Kosovë kundër hapjes së urës kryesorer mbi lumin Ibër në Mitrovicë pa një marrëveshje politike.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë të mërkurën se i mbështet plotësisht “vijat e kuqe” të KFOR-it për urën. Ai ka thënë se “veprimet e njëanshme të vitit të kaluar që çuan në lëndimin e ushtarëve të KFOR-it dhe të civilëve” s’duhet të përsëriten më.
Rohde ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i marrë parasysh këshillat e partnerëve ndërkombëtarë dhe ka shtuar se mirëpret koordinimin që ka përmendur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Mbështesim plotësisht NATO_KFOR dhe vijat e saja të qarta të kuqe përfshirë edhe ato lidhur me urën e Mitrovicës. Veprimet e njëanshme të vitit të kaluar, që shkaktuan lëndime të ushtarëve të KFOR-it + civilëve, nuk duhet të përsëriten. Këshillat ndërkombëtare duhet të merren parasysh. Nevojitet depërshkallëzim i retorikës; mirëpres koordinimin e përmendur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”, ka shkruar Rohde në platformën “X”.