Bislimi për çështjen e Urës së Ibrit: Ne vepruam siç na rekomanduan Lajçak dhe një partner i QUINT-it

Prishtinë, 14 gusht 2024 – Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka shprehur habinë që Bashkimi Evropian po e kërcënon Kosovën me masa shtesë për shkak të planit të qëvërisë për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë për qarkullim të automjeteve.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka vepruar siç ishte këshilluar nga emisari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Laçjak, dhe nga një vend I QUINT-it në Kosovë.

Bislimi ka thënë se Laçjak, në vizitën e tij të fundit në Kosovë, më 19 qershor, kur ishte diskutuar për çështjen e Urës së Ibrit, kishte thënë se nëse Kosova nuk preferon që kjo temë të diskutohet në Bruksel, atëherë rekomandon që të zhvillohen bisedime me serbët lokalë. Ndërkaq, një vend i QUINT-it kishte shtuar edhe kërkesën për inspektime teknike në urë.

“Në vizitën e tij të fundit në Kosovë, më 19 qershor, kur kemi biseduar për urën e Mitrovicës, Lajçak tha se nëse Kosova nuk preferon që për këtë çështje të diskutojë përsëri në Bruksel, ai rekomandon diskutime të brendshme me serbët vendas në veri për implikimet potenciale në siguri dhe për shqetësimet e tyre. Një partner i QUINT-it shtoi kërkesën për inspektim teknik.

Ne i kemi ndjekur të dyja rekomandimet. Tani BE-ja po e kërcënon Kosovën në rast se ajo i zbaton marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe rekomandimet shtesë. Ne besojmë fuqishëm se BE-ja promovon më shumë liri të lëvizjes dhe më pak kufij apo mure ndërmjet etnive të ndryshme”, ka shkruar Bislimi në platformën “X”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës ka thënë se hapja e Urës së Ibrit në Mitrovicë nuk është vendim i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës dhe as çështje e mbetur pezull apo e pazgjidhur në procesin e dialogut, por është kërkesa kryesore e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja, në vitet 2015 dhe 2016.

“Për më tepër, plani implementues i BE-së i datës 5 gusht 2016, e konsideron hapjen e urës si “Simbol i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet serbëve të Kosovës, shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera”. Raporti për Vendin i vitit 2020 nga ana e Komisionit Evropian për Kosovën, nxjerr konkluzionin si në vijim: “Punimet në urën e Mitrovicës kanë përfunduar dhe ura duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve pa vonesa apo pengesa të mëtejshme”. Ky është formulimi i BE-së, por marrëveshja është arritur mes Kosovës dhe Serbisë.”, ka shkruar Bislimi.

(r.m.)