– KM i Dardanisë (Kosovës) votoi në Shqipëri dhe u “bë kiameti” –
Nga MA. AGIM ALIÇKAJ *
Nuk na habit reagimi i shovenistit Vuçiq dhe ish-ambasadorit amerikan pro-serb Grenell, sa ai i parlamentares së nderuar Evropjane Znj. Viola Von Cramon dhe disa politikanëve dhe analistëve shqiptarë.
Vuçiq është urrejtës dhe armik i përbetuar i kombit shqiptar dhe nuk ka punë tjetër.
Grenell e ka ende vështirë ta kuptojë dështimin e tij në rrënimin e demokracisë dhe shtetit të Dardanisë. Komenti im për te në twitter me njoftim të Sekretarit të shtetit Blinken, Këshilltarit për Siguri Nacionale Sullivan dhe Shtëpisë së Bardhë ishte: “KM i Republikës së Kosovës Z. Albin Kurti, e ushtroi të drejtën e vet për të votuar si shtetas. Kjo quhet demokraci. Askush nuk ka të drejtë të vërë motivet e tij në dyshim. Ato nuk janë kundër askujt. Një ish-diplomat Amerikan, duhet të shmangë përhapjen e propagandës pro-serbe dhe pro-ruse”.
Znj. Viola, gjithmonë e drejt dhe parimore, e huqi kësaj radhe. U shpreh se nuk e kuptonte votimin e Albinit në Shqipëri duke e krahasuar me përzierjen serbe në Dardani. Komenti im për te, poashtu në Twitter, ishte: “Është fare e lehtë. Unë nuk jam Kryeministër si Albini, por ndihem i rëndësishëm. Votoj në Amerikë dhe Kosovë, kisha votuar edhe në Shqipëri. Si është e mundur të krahasohet e drejta demokratike për të votuar me përpjekjet sistematike të Vuçiqit dhe Serbisë shoveniste për ta shkatërruar një shtet tjetër”?!!
Reagimet negative të disa politikanëve dhe analistëve shqiptar e kalojnë kufirin e absurditetit. Të detyrojnë me zor për të mos i konsideruar fare. Shihet se nuk kanë mësuar asgjë nga zgjedhjet Dardane të 14 Shkurtit. Populli i dënoi. Nuk e kanë të qartë se për ta mundur Vjosen dhe Albinin duhen të bëhen më të aftë dhe më të mirë se ata, ti kritikojnë me fakte të argumentuara, jo me pallavra. Shtrohet pyetja, deri kur ata do të vazhdojnë me nënshtrim ndaj opinioneve të huaja, sidomos të armiqëve të popullit shqiptar?!
FANTAZIA E KIMETES PËR “URREJTJE” NDAJ EDI RAMËS
Shkrimet e Znj. Kimete Berisha, janë interesante dhe të jashtëzakonshme, nganjëherë të çuditshme dhe kontradiktore.
Befasojnë dy shkrimet e fundit lidhur me Edi Ramën, larg realitetit. Një huqje e madhe, shkrirje e talentit palidhje. Mospërmendja e emrit të tij nuk është urrejtje. Ka mundësi, nuk ekziston respekt. Pyetja është a e meriton ai respektin pas “mikpritjes” që tregoi për Presidenten Osmani gjatë vizitës në Shqipëri.
Nuk është fer dhe as e vërtetë të thuhet se Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti e kanë “zgjedhur vdekjen” për shqiptarët e Dardanisë për inati të Edi Ramës dhe se Presidentja “nuk merret me të gjallët”, pra na qenka “e ahiretit”. Përkujtimet, vizitat përmendoreve të heronjve dhe ekspozimi i masakrave serbe, është detyrë humane, njerëzore, kombëtare dhe shtetërore e Presidentes dhe Kryeministrit. Krimet serbe nuk bën dhe nuk mund të harrohen kurrrë. Vetëm me paraqitjen e tyre të përherëshme ulet në bisht Serbia shoveniste. Këtë e filloi në mënyrë të suksesshme diplomatike në OKB, Ministrja e Jashtme Znj. Donika Gërvalla-Shwarz.
Vjosa as Albini nuk kanë pse t’i marrin lakmi Edit për asgjë. Hiq fare.
Veprat dhe rezultatet e tij për dy mandate janë dështuese dhe dëshpruese. Largim nga Evropa dhe afrim kah Serbia, Rusia, Kina dhe Turqia. Vaksinat ruso-kineze nuk paraqesin sukses, nuk janë Pfizer. Mund t’i siguronte çdokush, veç të jetë i gatshëm të përulet te armiqt e kombit shqiptar. Natyrisht, për interesa zgjedhore.
Na thotë Kimetja se “askush nuk di të tregojë se çfarë vepre të keqe ka bërë Edi Rama”!! Edhe zogjët e malit e kanë pa “duke vrapuar” bashkë me Thaçin pas Vuçiqit.
Hartat përpara, thikat në dorë, të gatshëm me ja pre edhe do tokë Dardane, si ”hise vëllazërore”. Se, pak ka grabitë shteti kriminal serb nga shqiptarët! Ka mundësi që gjatë kësaj kohe ajo ishte në gjumë të thellë dhe të gjatë.
Në shkrimine saj në Bota Sot, të datës 21 Dhjetor 2019 drejtuar Edi Ramës me titull “Vuçiqi t’shtiftë n’dhe”, ndër tjera ajo thotë: “ Vuçiqi që e ka mohuar masakrëne Reçakut, i ka mohuar fëmijët e vrarë shqiptarë; ka shkel në gjak deri në gju; nuk ka kërku falje për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës, sepse ka marrë pjesë edhe vetë në ato krime, e mohon lirinë dhe ekzistencën tonë, por ama ndjen dhimbje për Edi Ramën… Raport pervers i këtyre të dyve…Gjithë kjo afërsi mes jush po na bën me vjell…Kishe shumë po duheni”. Shtrohet pyetja, cila është Znj. Kimete Berisha?! Shkrimi është aktual edhe sot. Meriton të lexohet prapë. Qasja: http://37.59.72.86/opinione/1205290/vuciqi-tshtifte-ndhe/
Një gjë duhet pranuar Edi Ramës, është ekspert për manipulime. Të vjedh para syve dhe ti nuk e sheh deri sa të bëhet vonë. Po duket se i ka “vjedh” edhe kulet e ndonjë vajzeje tradicionale shqiptare. I vesh, edhe pse aspak nuk i kanë hije. M’i ka qitë qejfi do pizhama me shara, të cilat i hoqa nga garderoba. Dhe, Kimetja prapë e lavdëron atë sikur të ishte kandidat për Playboy, jo për lider të një shteti.
Populli i Shqipërisë “e votoi” dhe ia paftë hajrin. Noshta ndryshon. I desh kulet dhe veshë tesha kat, me kravatë, sahat e qystek. Dhe nuk “vjedh më”, deri në mandatin tjetër. Ndoshta e harron arrogancën dhe sjelljet e pahijshme për një Kryeminister. Ndoshta e harron edhe Minishengenin, copëtimin e tokave shqiptare, si dhe përqafimet me Vuçiqin dhe Thaçin, “pas kaplimit nga paniku i dashurisë”. Dhe bëhet i mirë, si në fantazinë e zhvilluar të znj. Kimete Berisha.
Kimetja prapë befason për së miri. Në shkrimin e saj të fundit për viziten madhështore të Kryeministrit Kurti në Bruksel thotë: “Hera e parë që një Kryeminister i Kosovës i tregon Brukselit si është puna dhe ku po i dhemb Kosovës!… Këtë fjalim po e pres që nga pas lufta”! E shpërndava edhe në Facebook.
*Anëtar i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës