Osmani: Nuk është në interes të Kosovës përplasja me aleatët për çështjen e urës në Mitrovicë

Prishtinë, 15 gusht 2024 – Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha të enjten se Ura e Ibrit në Mitrovicë duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve, por theksoi se kjo duhet të ndodhë në bashkërendim me aleatët perëndimorë dhe të mos nxisë përplasje me ta.

“Ne duhet të sigurohemi që kur të hapet të mbetet e hapur dhe jo që kur të hapet të nxisë një prezencë shumë më të madhe të NATO-s në të. A është në interes të Kosovës që ne të shohim konflikt mes policisë sonë dhe ushtarit amerikan? Nuk besoj që ka shqiptar që pajtohet me një gjë të tillë. Pra të sigurohemi që gjëra të tilla të mos ndodhin, sepse ne nuk kemi arsye të kemi konflikt me aleatët tanë”, tha presidentja Osmani, gjatë një vizite në komunën e Vitisë.

Ajo tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës asnjëherë nuk janë shprehur kundër hapjes së Urës së Ibrit.

“Por sikurse për çdo temë të sigurisë kërkojnë dhe i luten Kosovës që të ulen bashkë, institucionet e Kosovës dhe aleatët tanë të sigurisë dhe të hartojnë së bashku planin e zbatimit i cili i merr parasysh vlerësimet e sigurisë edhe të Kosovës edhe të aleatëve tanë dhe ju siguroj që në shumicën e rasteve dërrmuese ato janë identike sepse bashkëpunojnë institucionet tona dhe në bazë të këtyre vlerësimeve të përbashkëta të përzgjidhet momenti më i volitshëm në mënyrë që çështja e urës dhe hapja e saj të jetë sukses i përhershëm, jo sukses i momentit por i përhershëm”, tha ajo.

Presidentja Osmani i quajti “raciste” deklaratat e zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, se çështja e Urës së Ibrit duhet të diskutohet në Bruksel, në kuadrin e dialogut politik. Ajo tha se Kosova nuk duhet të pranojë që kjo çështje të diskutohet në Bruksel, duke theksuar se Kosova nuk ka përse e pyet Serbinë për hapjen e urës.

“Sa i përket Bashkimit Evropian, deklaratat e zyrtarëve të saj janë raciste. Nuk besoj se meritojnë vëmendje nga ana ime. E kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e hapjes së urës në Bruksel. Nuk kemi çfarë e pyesim Serbinë”, u shpreh Presidentja Osmani.

Qeveria e Kosovës thotë se hapja e Urës së Ibrit do t’i shërbente lëvizjes së lirë dhe nuk është kundër askujt.

Departamenti amerikan i Shtetit tha të mërkurën se hapja e urës së Mitrovicës në këto momente do të rriste gjasat për dhunë dhe i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që mos ta ndërmarrë “veprime të njëanshme dhe të pa bashkërenduara”.

“Hapja e urës për trafikun e automjeteve tani i rrit mundësitë për dhunë dhe vë në rrezik popullatën vendase si dhe ushtarët e KFOR-it, përfshirë amerikanët, të cilët po punojnë për të mbështetur paqen dhe sigurinë në Kosovë”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit.

Përveç Shteteve të Bashkuara, hapjen e Urës së Ibrit në mënyrë të njëanshme, pa pajtimin e serbëve lokalë, e kanë kundërshtuar edhe vendet tjera të QUINT-it (Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Italia), Bashkimi Evropian dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

KFOR-I ka paralajmëruar se “nuk do të hezitojë të veprojë” për të parandaluar çfarëdo veprimi që rrezikon paqen dhe sigurinë në Kosovë.

(r.m.)