Prishtinë, 16 gusht 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur 9 shkurtin e vitit të ardhshëm si datë të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
“Zgjedhjet e rregullta për Kuvendin e Republikës së Kosovës do të mbahen më 9 shkurt 2025”, thuhet në dekretin e nënshkruar nga presidentja Osman, të cilin e ka publikuar në Facebook.
Presidentja Osmani e ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve.
“Udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës, t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës në përputhje me këtë Dekret dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në dekrtet.
Presidentja Osmani e ka dekretuar datën e zgjedhjeve pas konsultimeve me partitë politike të Kosovës. Tri partitë më të mëdha opozitare (PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja) kanë propozuar që zgjedhjet të mbahern më 26 janar, ndërsa partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka preferuar 2 shkurtin.
Këshilltari politik i Presidentes Osmanit, Bekim Kupina, ka thënë se 9 shkurti është përzgjedhur nga Presidentja si “datë optimale që balancon preferencat e të gjitha palëve të vështira”.
“Këtë vendim, Presidentja Osmani e ka marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të rrethanave dhe çështjeve që duhen marrë parasysh, si dhe pas një analize të plotë të aspekteve ligjore në mënyrë që të organizohet një proces zgjedhor sipas standardeve më të larta demokratike”, ka shkruar Kupina në Facebook.
“Presidenca ka vlerësuar se është me rëndësi që fushata zgjedhore të fillojë pas përfundimit të një sërë festash kalendarike të cilat vazhdojnë deri me datën 7 janar. Për më tepër, presidentja Osmani tashmë ka ftuar BE-në që të dërgojë një mision për vlerësim preliminar, ndërkaq sipas praktikave, do t’i drejtohet sërish BE-së sa i përket misionit vëzhgues, ku do të propozohet që të monitorohet edhe periudha e fushatës, e jo vetëm dita e zgjedhjeve”, ka shtuar ai.
“Presidentja, së shpejti, do t`i ftojë të gjitha partitë politike që ta nënshkruajnë një listë zotimesh të përbashkëta, me të cilat shprehet përkushtimi i tyre për t`i ruajtur standardet më të larta në këtë proces zgjedhor”, ka njoftuar Kupina.
Ai ka bërë të ditur se Presidentja Osmani tashmë e ka ftuar BE-në të dërgojë një mision për vlerësim preliminar dhe se BE-së do t’i drejtohet me kërkesë për dërgimin e misionit vëzhgues, i cili do të monitorojë edhe fushatën zgjedhore.
(r.m.)