Policia e Kosovës konfiskon në Banjskë armë dhe pajisje që lidhen me sulmin e 24 shtatorit

Prishtinë, 16 gusht 2024 – Policia e Kosovës njoftoi se gjatë një aksioni të zhvilluar gjatë ditës së sotme në Banjskë, në pjesën veriore të vendit, ka konfiskuar armë, municione dhe pajisje të ndryshme ushtarake.

Policia beson se armët dhe pajisjet janë gjetur në Hotelin “Rajska Banja” gjë që e bën të besojë se ato janë mbetje e armëve dhe pajisjeve të grupit të armatosur që kreu sulmin terrorist në Banjskë, më 24 shtator të vitit të kaluar.

“Sot gjatë ditës kemi zhvilluar një kontroll shtesë në Hotelin Rajska Banja dhe kemi gjetë 2 jelek antiplumb, AK-47, 8 Karikator me fishekë dhe disa pajisje të tjera ushtarake. Besohet se këto prova materiale kanë qenë aty që nga rasti i Banjskës”, ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Kjo nuk është hera e parë që policia gjen armë e pajisje ushtarake në Banjskë.

Kompleksi “Rajska Banja” është pronë publike e Kosovës. Ai ishte funksional deri në marrjen e tij në ddministrim nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), pas sulmit terrorist në Banjskë.

AKP-ja njoftoi se kompleksi, i cili është pronë e ndërmarrjes shoqërore “Trepça Standard”, ishte rinovuar pa leje dhe ishte shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme.

Hapjen e hotelit “Rajska Banja”, i cili është [jesë e kompleksit, e kishte bërë ministri aktual i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, që atëherë ishte drejtor I Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.Aty janë mbajtuar disa takime të udhëheqësve shtetërorë të Serbisë me udhëheqës politikë dhe të strukturave paralele serbë në Kosovë.

(r.m.)