Osmani: Liria e shtypit është parakusht themelor për funksionimin demokratik të shoqërisë

Prishtinë, 3 maj 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se liria e shtypit është parakusht themelor për funksionimin demokratik të shoqërisë.

Osmani, në një postim në Facebook në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ka shprehur konsideratat e saj për mediat profesionale e të guximshme. Njwkohwsisht i ka inkurajuar ato të vazhdojnë përpjekjet për raportim të drejtë e të paanshëm.

Postimi i plotë i Presidentes Osmani:

Liria është atribut i gjendjes së natyrshme, siç duhet të jetë edhe Liria e Shtypit.

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, dua ta shprehë konsideratën time për mediat profesionale e të guximshme. Dua t’i inkurajoj ta vazhdojnë përpjekjen e tyre për raportim të drejtë e të paanshëm, ngase liria e shtypit është parakusht themelor për funksionimin demokratik të shoqërisë. Të një shoqërie ku çdo ditë krijojmë hapësirë për ta dëgjuar mendimin ndryshe dhe ku secili ndihet i lirë ta thotë atë që e mendon.

Media/gazetarë të nderuar, urime dita juaj! Hulumtoni, siguroni prova, nxirrni konkluzione në bazë të tyre. E vërteta duhet të jetë kauzë e përhershme e të gjithëve.

(r.m.)