Çikago, 19 gusht 2024 – Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokrate nis punimet mbrëmjen e së hënës në qytetin e Çikagos. Gjatë aktivitetit katërditor, që shënon pikën kulmore për demokratët, pritet të mbahen fjalime në mbështetje të kandidates për Shtëpinë e Bardhë, Kamala Harris, por nuk do të mungojnë dhe sulmet ndaj kundërshtarit të saj republikan, Donald Trump.
Demokratët kanë zgjedhur drejtuesit më të lartë në vend dhe një sërë figurash të spikatura për të mbajtur fjalime në mbështetje të kandidates së tyre për Shtëpinë e Bardhë. Kamala Harris u bë pjesë e garës presidenciale më pak se një muaj më parë pas tërheqjes së Presidentit Joe Biden mes një trysnie në rritje në radhët e udhëheqësve të Partisë Demokrate.
Presidenti demokrat u paraqit dobët në një debat me rivalin republikan, Donald Trump në fund të qershorit, ndërsa rënia e mbështetjes në sondazhe tregoi se ai kishte të ngjarë të humbiste përballë pararendësit të tij.
Presidenti Biden, 81 vjeç, shprehu mbështetjen për Nënpresidenten Harris e cila është 59 vjeçe. Zoti Biden do të flasë të hënën në kuvend për t’u treguar 4,000 delegatëve dhe audiencës se pse ajo e meriton ta pasojë atë duke u bërë presidentja e 47 e vendit.
Nëse fiton, Kamala Harris do të bëhet presidentja e parë grua në Shtetet e Bashkuara, dhe udhëheqësja e dytë me origjinë afrikano-amerikane që drejton Shtëpinë e Bardhë. Ajo ka edhe origjinë indiane. Në vitin 2009, demokrati Barack Obama bëri betimin si presidenti i 44 i Shteteve të Bashkuara dhe udhëhoqi vendin deri në janar të vitit 2017, duke u bërë presidenti i parë me ngjyrë në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Por më e rëndësishmja për demokratët është se një sërë sondazhesh kombëtare tregojnë se zonja Harris aktualisht gëzon më shumë mbështetje se rivali i saj republikan dhe udhëheq në shtetet fushëbetejë, që kanë të ngjarë të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve amerikane.
Zoti Obama do të flasë në kuvend të martën ndërsa ish Presidenti Bill Clinton do t’u drejtohet delegatëve të mërkurën. Nënpresidentja Harris do të mbajë fjalimin e saj të enjten, natën e fundit të kuvendit, ku do të pranojë zyrtarisht emërimin e Partisë Demokrate si kandidate për postin e presidentes së Shteteve të Bashkuara.
Në fillim të muajit, kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris dhe kandidati për nënpresident, Tim Walz, siguruan emërimin përmes një votimi elektronik.
Gjatëdhjetë vjeçari Tim Walz, i cili është në mandatin e dytë si guvernator i Minesotës, ka qenë mësues në shkollë të mesme dhe ka shërbyer për 12 vjet si ligjvënës në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit të tij.
Gjatë 5 viteve e gjysmë në krye të Minesotës, ai ka zbatuar një axhendë liberale, por ishte pak i njohur në qarqet e politikës amerikane deri para përzgjedhjes së tij nga zonja Harris për të kandiduar për Shtëpinë e Bardhë. Ai u përzgjodh përballë dy figurave më të njohura demokrate. Këshilltarët thonë se zonja Harris mendon se ai është figura më e përshtatshme për të bashkëpunuar nëse i fiton zgjedhjet e 5 nëntorit.
Demokratët që mendonin se Presidenti Biden ishte shumë i moshuar për të kandiduar, jo më të shërbente për katër vjet të tjera, shprehën menjëherë mbështetjen për zonjën Harris. Presidenti Biden është tre vjet më i madh në moshë se republikani Donald Trump.
Megjithëse Kamala Harris ka përfaqësuar në të kaluarën Kaliforninë në Senatin amerikan dhe aktualisht është Nënpresidente e Shteteve të Bashkuara, sikurse zoti Walz, është deri diku një figurë e panjohur për publikun amerikan.
Për shumë votues amerikanë, fjalimi për pranimin e emërimit mund të jetë hera e parë që e dëgjojnë atë të flasë pas një kohë të gjatë.
Që nga momenti që u mori stafetën për garën presidenciale, zonja Harris u është përgjigjur vetëm në pak raste pyetjeve të gazetarëve që mbulojnë fushatën e saj.
Ajo ka refuzuar të zhvillojë një konferencë të gjerë për shtypin ose të intervistohet nga një gazetar apo gazetare me peshë në televizionet kryesore amerikane. Ajo ka thënë se do të zhvillojë intervista të tilla në fund të gushtit.
Zonja Harris ka tërhequr mijëra mbështetës nëpër tubime në shtetet fushëbeteja, duke përcjellë mesazhe të shkruara me kujdes, dhe kujtuar votuesve se ajo e filloi karrierën politike si prokurore lokale dhe më pas u bë prokurore e përgjithshme e Kalifornisë.
“Në këto detyra, jam ndeshur me individë të të gjitha llojeve. Pra më kuptoni kur them se e njoh llojin e Donald Trump-it”, tha ajo gjatë një fjalimi.
Një juri e shpalli zotin Trump përgjegjës në çështjet civile për abuzim seksual me një grua dhe më pas shpifje ndaj saj, ndërsa një juri tjetër në maj e shpalli atë fajtor për 34 akuza penale që lidhen me pagesën e parave për të blerë heshtjen e aktoreje të filmave pornografikë.
Në fillim të vitit, një gjykatës arriti në përfundimin se zoti Trump i kishte manipuluar të dhënat e biznesit për të siguruar kredi të favorshme nga bankat dhe tarifa të leverdishme nga kompanitë e sigurimeve dhe e urdhëroi atë të paguante një dëmshpërblim prej rreth 300 milionë dollarë.
Republikani Trump e ka sulmuar ashpër rivalen Harris si një intelektuale e peshës së lehtë. Ai ka thënë se zonja Harris nuk është e zgjuar sa duhet për t’u përballur me pyetjet e vështira të gazetarëve.
Disa republikanë i kanë kërkuar zotit Trump që të heq dorë nga sulmet personale ndaj zonjës Harris dhe të vërë në shënjestër politikat e saj, por ai nuk ka pranuar.
“Unë kam të drejtë për sulme personale”, tha ai për gazetarët të enjten. “Duhet ta bëj sipas mënyrës sime”.
Ndërsa shumica e delegatëve në kuvend janë rreshtuar plotësisht pas zonjës Harris, disa dhjetëra të tjerë kanë thënë se janë “të pavendosur” për kandidaturën e saj, në shenjë proteste ndaj mbështetjes së administratës së Presidentit Biden për Izraelin në luftën e tij kundër militantëve të Hamasit në Gaza.
Demokratja Harris e ka mbështetur gjerësisht Izraelin, ndërsa ka bërë thirrje për një armëpushim në luftën 10-mujore. Ajo ka refuzuar të mbështesë një nga kërkesat e disa prej delegatëve pro-palestinezë, embargon e ndihmave ushtarake për Izraelin.
(Zëri i Amerikës)