Ambasada amerikane në Shkup e vlerëson dhe e mbështet punën e ITSHKSH

Shkup, 21 gusht 2024 – Drejtori i Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup, Skender Asani, e priti të hënën z.Dejvid Majers, zëvendësambasador dhe shef i zyrës politike në  Ambasadën e SHBA-së në Shkup.

Veprimtaria shkencore e hulumtuese e Institutit, përfshirë edhe konferencat shkencore si dhe botimet e shumta, ishin temat kryesore të cilat drejtori Asani i shpalosi para diplomatit amerikan, duke e siguruar atë se Instituti që ai drejton vazhdon të mbetet promotor i nxitjes së dialogut dhe mirëkuptimit ndëretnik dhe ndërefetar.

Ai tha se ky është diskursi mbi të cilin mbështetet ai si drejtues dhe si studiues në trajtimin e temave që shërbejnë si preventivë ndaj situatave e rrethanave të caktuara politike e shoqërore. Ai u shpreh se ka qenë e domosdoshme që ITSHKSH të jetë imun ndaj ndikimeve të jashtme politike, sepse vetëm një institucion i depolitizuar garanton sukses dhe perspektivë.

Drejtori Asani e informoi diplomatin amerikan se ITSHKSH me sukses po e krijon kulturën e dijes, me të gjitha premisat e metodologjive të avancuara shkencore. Dalja në tregun e gjerë të konkurrencës si dhe thellimi i bashkëpunimit vendor e rajonal, sipas drejtorit Asani, janë shtyllat kryesore mbi të cilat bazohet identiteti i punës shkencore-hulumtuese i ITSHKSH-së.

Diplomati amerikan, z.Dejvid Majers, gjatë takimit ka dhënë mbështetje për punën e gjithëmbarshme të ITSHKSH-së dhe për kursin drejtues të drejtorit Asani, duke e konsideruar atë partner dhe bashkëpunues të politikave amerikane.

Ai ka deklaruar që të ruhet autonomia e punës menaxhuese të ITSHKSH-së dhe me këtë rast e ka përgëzuar drejtorin Asani për këmbëngultësinë në avancimin e kauzave shkencore e civilizuese përmes ITSHKSH-së, veprimtaria e të cilit, siç tha ai, vazhdon të mbetet në fokusin e vëmendjes së Ambasadës amerikane në Shkup.

(e.a)