Prishtinë, 22 gusht 2024 – Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), William Burns, ka qëndruar të enjten në Kosovë, në një vizitë të paparalajmëruar dhe pa publicitet.
Z. Burns është parë duke hyrë në ndërtesën e Presidencës së Kosovës dhe duke dalë prej saj, pas njëfarë kohe.
Nga ndërtesa er Presidencës së Kosovës është parë duke dalë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Radio Evropa e Lirë raportoi se z. Burns është takuar me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa në takim ka qenë i pranishëm edhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.
Asnjëra nga palët nuk është deklaruar rreth përmbajtjes së takimit.
Policia e Kosovës i ka urdhëruar gazetarët të largohen nga hapësirat para ndërtesave qeveritare, pa dhënë ndonjë shpjegim.
Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë, e cila realizohet pas vizitave në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Serbi, nuk është paralajmëruar. Radio Evropa e Lirë ka bërë të ditur se ka pyetur në Ambasadën amerikane në Prishtinë, në Presidencën e Kosovës dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por nuk ka marrë asnjë konfirmim për këtë vizitë.
Por, avioni i ushtrisë amerikane, me të cilin besohet se z. Burns ka udhëtuar në Bosnjë e Hertcegovinë dhe në Serbi, të enjten në mesditë është parë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Në mesditë ekipi i Radios Evropa e Lirë e ka fotografuar aeroplanin para zonës “VIP” të aeroportit.
Sipas ueb-faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar, ky aeroplan ka udhëtuar sot nga Beogradi në Prishtinë përmes hapësirës ajrore të Rumanisë, të Bullgarisë dhe të Maqedonisë së Veriut.
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë e kanë parë një autokolonë të shoqëruar nga Policia e Kosovë duke u larguar nga zona “VIP” e aeroportit.
Të martën, më 20 gusht, z. Burns qëndroi në Sarajevë, ku u takua me udhëheqës të inteligjencës, me anëtarët e Presidencës dhe me ministrin e Jashtëm.
Një zyrtar i Qeverisë amerikane, i cili foli në kushte anonimiteti, i tha Radios Evropa e Lirë se arsye për vizitën e shefit të CIA-s në Sarajevë, ndër të tjera, ishin retorika dhe veprimet separatiste të presidentit prorus të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe të qeverisë së këtij entiteti.
Të mërkurën, më 21 gusht, Shefi i CIA-s qëndroi në Beograd. Sipas medieve serbe, ai është takuar me zyrtarë të shërbimit secret serb, por kjo nuk u konfirmua nga zyrtarët as në Serbi dhe as në Shtetet e Bashkuara.
Ka raportime se vizita e drejtorit të CIA-s, William Burns, në vendet e Ballkanit Perëndimor është nxitur nga informacionet se Rusia ka shtuar përpjekjet për destabilizimin e rajonit, por ato nuk janë konfirmuar deri më tash. Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, ishte në Moskë para disa ditësh, ku e falënderoi shërbimin secret rus për “informacionin” se në Serbi gjoja po përgatitej një grusht shteti, I nxitur nga Perëndimi.
Vulin ka qenë shef i shërbimit sdekret të Serbisë. Ai është përfshirë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të raporteve shumë të afërta me Moskën dhe për shkak të politikave luftënxitëse në rajon.
William Burns, i cili ka qenë ambasador i SHBA-së në Rusi, është një ndër figurat më të rëndësishme të administrates së presidentit amerikan, Joe Biden. Ai është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë.
Në krye të CIA-s është emëruar në janar të vitit 2021.
(r.m.)