Beograd, 22 gusht 2024 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka zhvilluar në Beograd një takim të paparalajmëruar me Presidentin e Republikës Sërpska, Milorad Dodik. Në takim ka marrë pjesë edhe Ivica Daçiq, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë
Sipas një postimi të Vuçiqit në Instagram, ata kanë bërë “një analizë të përbashkët të kushteve globale dhe rajonale”.
“Një bisedë shumë e mirë me presidentin e Republikës Sërpska. Takimi u dominua nga temat ekonomike, por bëmë një analizë të përbashkët të kushteve globale dhe rajonale. Në takim mori pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, ku një nga temat ishte lufta kundër migracionit ilegal. Presidenti Dodik dhe unë i kushtuam vëmendje të veçantë lidhjes infrastrukturore, rrugore, hekurudhore dhe energjetike të Serbisë dhe Serbisë”, thuhet në postimin e Vuçiqit.
Takimi i Vuçiqit me Dodikun u zhvillua pas vizitave të dy zyrtarëve të lartë perëndimorë në rajon: Ndihmëssekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge, dhe Drejtorit të CIA-s, William Burns.
Z. Ruge, i cili qëndroi në Prishtinë dhe në Beograd, u bëri thirrje të gjithë aktorëve në rajon që të përmbahen nga veprimet që mund të shkaktojnë tensionëe në rajon.
“Është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat e njëanshme, të cilat mund të krijojnë tensione. Kjo është e rëndësishme për sigurinë afatgjate në Kosovë – për të mirën e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve – dhe për stabilitetin rajonal”, shkroi Rogue në X.
Drejtori i CIA-s, William Burns, qëndroi të martën në Sarajevë, të mërkurën në Beograd dhe të enjten në Prishtinë. Asnjëra prej palëve nuk i bëri publike temat e diskutimeve.
Ndërkaq, një zyrtar i lartë amerikan, i cili ka kërkuar të mos emërtohet, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se diskutimet e Burnsit dhe bashkëpunëtorëve të tij në Sarajevë, mes tjerash, janë përqendruar në rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve nga presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik.
Presidenti i Republikës Srpska, Dodik, tha se ai nuk ishte për shkëputjen e entitetit serb nga Bosnja e Hercegovina, gjë që nga analistët u cilësua si “paqesim” i Dodikut.
(r.m.)