Çështje të Emigracionit: Në ndihmë të bashkimit familjar

Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Ka filluar pranimi i aplikimeve I-131F, Application for Parole in Place for Certain Noncitizen Spouses and Stepchildren of U.S. Citizens

Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) bëri të ditur ndërmarrjen e një hapi kyç drejt përmbushjes së angazhimit të Presidentit Biden për promovimin e bashkimeve familjare brenda sistemit te emigracionit. DHS-ja do të krijojë një proces të ri për të shqyrtuar, rast pas rasti, kërkesat për disa bashkëshortë jo-nënshtetas të nënshtetasve amerikanë, të cilët kanë qenë fizikisht të pranishëm pa leje në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të pandërprerë për 10 ose më shumë vjet me radhë; nuk kanë dënime penale “skualifikuese”; nuk përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare dhe sigurinë publike dhe e kalojnë me sukses procesin e verifikimit; përndryshe kanë të drejtë të aplikojnë për ndreqje statusi; dhe meritojnë një ushtrim të favorshëm të autoritetit diskrecional.

Nëse u jepet leje (parole), këta jo-nënshtetas do të mund të aplikojnë për qëndrim të përhershëm të ligjshëm (green card) pa qenë nevoja të largohen nga Shtetet e Bashkuara që kërkesa e tyre të procesohet nga një konsullatë amerikane jashtë shtetit. Sipas DHS-së, 500,000 bashkëshortë jo-nënshtetas të nënshtetasve amerikanë mund të kenë të drejtë të përfitojnë nga ky proces; mesatarisht, këta jo-nënshtetas kanë banuar në Shtetet e Bashkuara për 23 vjet me radhë. Sipas llogaritjeve paraprake, përafërsisht 50,000 fëmijë jo-nënshtetas të këtyre bashkëshortëve kanë të drejtë të kërkojnë “parole” nëpërmjet këtij procesi.

Parole-In-Place u Jep Mundësinë Personave të Interesuar të Aplikojnë për  Green Card pa Qenë Nevoja që të Largohen nga SHBA-ja

Ligji i emigracionit të SHBA-së i lejon krahut ekzekutiv t’u japë “humanitarian parole” (leje për arsye humanitare) individëve të caktuar që përndryshe nuk kanë një bazë ligjore për të hyrë ose qëndruar në SHBA, atëherë kur qeveria vendos se dhënia e kësaj leje do të shërbente për të kënaqur arsye humanitare urgjente ose do të sillte një përfitim të rëndësishëm publik. Leja humanitare u lejon përfituesve të hyjnë ose qëndrojnë përkohësisht në Shtetet e Bashkuara për një periudhë të përcaktuar, që mund të variojë nga disa ditë deri në disa vjet. Individët që marrin leje janë në gjendje të aplikojnë për autorizim pune nëse është e nevojshme për të mbështetur veten financiarisht gjatë kohës që ndodhen në SHBA. Kur leja humanitare jepet për individë që janë tashmë brenda Shteteve të Bashkuara, ajo njihet si parole-in-place (leje pa luajtur nga vendi).

Dikush që ka marrë leje humanitare, përfshirë parole-in-place, konsiderohet si person që është “inspektuar dhe pranuar” në Shtetet e Bashkuara sipas ligjit federal. Kjo do të thotë se ata që kanë marrë “parole” dhe kualifikohen për të aplikuar për green card për shkak të martesës me nënshtetas/e amerikan/e, do të mund të aplikojnë për ndreqje statusi pa qenë nevoja të dalin nga Shtetet e Bashkuara, pra pa rrezikuar mundësinë për t’u rifutur pasi të kenë lënë vendin.

Është e rëndësishme të theksohet se, edhe nëse dikujt i skadon ose i revokohet dhënia e lejes së veçantë (përfshirë mbrojtjen nga deportimi dhe lejen për punë që mund të jenë të lidhura me të), ai ose ajo konsiderohet ende si dikush që është pranuar në Shtetet e Bashkuara sipas ligjit të emigracionit. Kjo do të thotë se, edhe nëse programi i ri i lejes shpallet i paligjshëm në gjykatë ose mbyllet nga një president i ardhshëm, ata që tashmë kanë marrë parole-in-place sipas programit do të vazhdojnë të kualifikohen për të aplikuar për green card pa qenë nevoja të largohen nga vendi duke rrezikuar ndarjen.

Mbroni veten nga mashtrimet 

Nëse keni nevojë për këshilla ligjore për çështjet e imigracionit, sigurohuni që personi që ju ndihmon është i autorizuar për të dhënë këshilla ligjore. Vetëm një avokat i pranuar për të ushtruar këtë profesion në Shtetet e Bashkuara ose një përfaqësues i akredituar që punon për një organizatë të njohur nga Departamenti i Drejtësisë mund t’ju japë këshilla ligjore për çështjet e emigracionit.

Disa nga mashtrimet më të zakonshme që duhen ditur:

Persona që bëjnë sikur janë të qeverisë: Ruhuni nga persona që pretendojnë se janë zyrtarë të USCIS-it. USCIS-i ju kontakton gjithnjë vetëm përmes kanaleve zyrtare të qeverisë dhe asnjëherë nëpërmjet llogarive tuaja personale në rrjetet sociale (si Facebook, X, LinkedIn, etj.)

Faqet e rreme të internetit: Disa faqe interneti hiqen sikur janë të lidhura me USCIS-in dhe ofrojnë udhëzime hap pas hapi se si të plotësoni një aplikim apo peticion të USCIS-it. Sigurohuni që informacioni juaj të jetë nga uscis.gov ose dhs.gov ose është i lidhur me uscis.gov. Sigurohuni që adresa e faqes në internet të përfundojë me .gov.

Pagesat nëpërmjet telefonit ose email-it: USCIS-i nuk do t’ju kërkojë kurrë të transferoni para te një individ. USCIS-i nuk pranon Western Union, MoneyGram, PayPal ose karta dhuratë si formë pagese për tarifat e emigracionit. Përveç kësaj, USCIS-i nuk do t’ju kërkojë kurrë t’i paguani tarifat një personi nëpërmjet telefonit ose email-it.

Noterë dhe praktikues të paautorizuar të ligjit të imigracionit: Në Shtetet e Bashkuara, një noter publik nuk është i autorizuar t’ju ofrojë shërbime ligjore që lidhen me emigracionin. Vetëm një avokat i pranuar për të ushtruar profesionin në Shtetet e Bashkuara ose një përfaqësues i akredituar që punon për një organizatë të njohur nga Departamenti i Drejtësisë mund t’ju japë këshilla ligjore për çështjet e imigracionit

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]