Kiev, 22 gusht 2024 – Presidenti Volodymyr Zelenski shkoi në rajonin verilindor ukrainas të Sumit të enjten në vizitën e tij të parë në zonën kufitare që kur forcat e tij hynë në territorin rus më shumë se dy javë më parë.
Pas një takimi me komandantin e ushtrisë së Ukrainës, Presidenti Zelenski tha se forcat ukrainase kanë marrë kontrollin e një vendbanimi tjetër në rajonin rus të Kurskut dhe kanë kapur më shumë ushtarë rusë, të cilët ai shpreson t’i shkëmbejë me ukrainasit e kapur nga ushtria ruse. Ai e quajti atë “fond të këmbimit”.
“Një tjetër vendbanim në rajonin e Kurskut është tani nën kontrollin e Ukrainës dhe ne kemi rimbushur fondin e këmbimit”, shkroi Presidenti Zelenski në rrjetin X pasi dëgjoi një raport nga gjenerali Oleksandr Syrskyi.
Por përparimet e reja në rajonin rus vijnë ndërsa Ukraina vazhdon të humbasë terren në rajonin e saj lindor të Donetskut. Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi të enjten se ushtria e saj ka marrë kontrollin e fshatit Mezhov.
Kjo është hera e parë, që një vend pushton territor kaq të madh rus që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ofensiva e Ukrainës në territorin rus ndodh në një kohë kur të dyja palët po përdorin dronë për të sulmuar njëra tjetrën mbrapa vijës së frontit.
Një sulm me dron ukrainas të enjten shkaktoi një zjarr në një objekt ushtarak në Rusinë jugore, ndërsa Kievi po intensifikonte ofensivën e tij në rajonin e Kurskut, duke goditur një numër urash dhe objektiva të tjera infrastrukturore.
Andrei Bocharov, guvernatori i rajonit të Volgogradit, tha të enjten se një “objekt i ministrisë së mbrojtjes” ishte në zjarr pasi u sulmua nga dronët në zonën e Marinovkës, në një shenjë se Ukraina nuk po heq dorë nga sulmet e saj brenda territorit rus. Ai nuk dha hollësi mbi dëmet e shkaktuara.
Ukraina sulmoi Rusinë gjatë natës me 28 dronë, tha Ministria ruse e Mbrojtjes. Trembëdhjetë dronë u qëlluan mbi rajonin e Volgogradit, shtatë mbi rajonin e Rostovit, katër mbi rajonin e Belgorodit, dy mbi rajonin Voronezhit dhe nga një mbi rajonet Brianskut dhe Kurskut, tha Ministria ruse e Mbrojtjes.
Kanalet ruse në rrjetin Telegram thonë se dronët u përpoqën të sulmonin një bazë ajrore ushtarake pranë Marinovkës në fshatin e Oktiabrskut. Videot e shpërndara në mediat sociale ruse tregojnë një shpërthim afër bazës. Marinovka ndodhet rreth 300 kilometra në lindje të kufirit me Ukrainën.
Ukraina mori përgjegjësinë për sulmin.
(Zëri i Amerikës)