Gjenden trupat e tetë migrantëve të mbytur në lumin Drina, në kufirin Serbi – Bosnjë e Hercegovinë

Zvornik (Bosnjë e Hercegovinë), 22 gusht 2024 – Trupat e tetë migrantëve janë nxjerrë nga lumi Drina, në kufirin midis Serbisë e Bosnjës e Hercegovinës. Ata janë mbytur në lumë pas fundosjes së barkës me të cilën po lundronin për të kaluar nga Serbia në Bosnjë e Hercegovinë.

Drejtori i Administratës Republikane të Mbrojtjen Civile të Republikës Sërpska, Boris Tërniniq, ka thënë se barka është përmbytur në lum pranë fshatit Tegara, në komunën e Bratunacit, në Bosnje e Hercegovinë.

“Një pjesë e migrantëve kanë shpëtuar dhe kanë dalë në breg, ndërsa pjesa tjetër jo”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se numri i saktë i të mbyturve nuk dihet, prandaj kërkimet po vazhdojnë edhe më tutje. Në kërkime po marrin pjesë shërbimet e Serbisë dhe të Bosnjës e Hercegovinës.

“Sipas migrantëve që kanë arritur në breg, në barkë kanë qenë rreth 25 persona, ndërsa policia dhe shpëtimtarët kanë gjetur 18 persona në breg – tre prej të cilëve janë fëmijë”, ka thënë Ministria e Brendshme e Serbisë.

Departamenti i Policisë së Bosnjës e Hercegovinës në Zvornik tha se migrantët që kanë mbijetuar janë nga Maroku. Ata janë ndaluar dhe janë intervistuar.

Policia kufitare e Bosnje e Hercegovinës tha se ende nuk janë identifikuar personat që po i kontrabandonin migrantët.

Serbia është pjesë e “rrugës ballkanike” të kalimit të migrantëve gjatë rrugëtimit nga lindja drejt Evropës Perëndimore. Së paku 40 migrantë e kanë humbur jetën në lumin Drina, gjatë dhjetë vjetëve të fundit.

Sipas të dhënave të Komisariatit për Refugjatë dhe Migrim në Serbi, vitin e kaluar nëpër Serbi kanë kaluar më shumë se 100.000 migrantë.

(r.m.)