Prishtinë, 22 gusht 2024 – Kryesuesi i Bordit të Fondacionit “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit”, Ismail Syla, ka njoftuar se nga autoritetet e Kosovës ka kërkuar “rritjen e përkrahjes financiare për mbrojtjen juridike të Presidentit Thaçi”.
“Si kryesues i Bordit të Fondacionit ‘Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit’, ditë më parë, ua kam dërguar një kërkesë zyrtare Kryeparlamentarit Glauk Konjufca, Kryeministrit Albin Kurti dhe Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për rritjen e përkrahjes financiare për mbrojtjen juridike të Presidentit Thaçi”, ka shkruar Syla në Facebook.
Në kërkesën e Bordit të Fondacionit thuhet se “kufizimet e vendosura në shpenzimet për mbrojtjen juridike, të cilat janë përcaktuara me Udhëzimin Administrativ MD-NR.01/2024, kanë vënë ekipin mbrojtës të ish-presidentit Thaçi në një situatë të pamundur për të përmbushur detyrimet e tij”.
Sipas Bordit, për shkak të mungesës së fondeve, njëri nga avokatët kryesorë është larguar dhe avokati aktual ka paralajmëruar se mund të largohet deri në fund të muajit.
“Nëse kjo ndodh, procesi gjyqësor mund të shtyhet për së paku gjashtë muaj, derisa të gjendet një avokat i ri që të njihet me rastin”, paralajmëron bordi.
“Fondacioni vlerëson se është urgjente dhe e domosdoshme ndarja e fondeve shtesë për të siguruar mbrojtjen efektive të Thaçit në gjykatë”, thuhet në kërkesën e tij.
Bordi thotë se Fondacioni “është krijuar për të ofruar mbështetje alternative financiare dhe për të lehtësuar barrën mbi buxhetin publik”, por thekson se ai “nuk ka arritur të sigurojë fonde të mjaftueshme që do ta bënin këtë kërkesë të panevojshme”.
Fondacioni beson se mbështetja financiare nga institucionet e Republikës së Kosovës është thelbësore për të siguruar qasjen efektive në drejtësi dhe për të mbrojtur integritetin e luftës së UÇK-së dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri.
(r.m.)