Mbresa të pashlyeshme në zemrën dhe kujtesën e atyre që e njohën
Familjarë e miq të familjes u mblodhën në katërvjetorin e ikjes në amëshim të Musli Mulosmanit, patriotit të shquar, antikomunistit dhe legalistit shqiptaro-amerikan.
Ishin të pranishme bashkëshortja Serverte dhe e bija Gjuljana. Imam Edin Gjoni mbajti një lutje për shpirtin e të ndjerit. Për ta nderuar morën pjesë edhe Prof. Elez Osmani si dhe veprimtari dhe biznesmeni Harry Bajraktari.
Të gjithë u mblodhën pranë varrit të tij në Varrezën “Maple Grove”, në Kew Gardens – Queens, ku prehen edhe anëtarë të tjerë të familjes së njohur Mulosmani.
Musli Mulosmani ka qenë një figurë e nderuar e komunitetit shqiptaro-amerikan, Ai ka shërbyer si kryetar i Degës së Legalitetit për New York dhe New Jersey. Ishte anëtar i Këshillit të Vatrës dhe i Këshillit të Xhamisë.
E gjeje në çdo demostratë për lirinë e Kosovës, ashtu si merrte pjesë rregullisht në demonstratat kundër diktatirës së Enver Hoxhës.
Imam Edin Gjoni, në lutjen e tij për shpirtin e Musli Mulosmanit e quajti një njeri që ka lënë “mbresë të pashlyeshme në zemrën dhe kujtesën e çdonjërit prej nesh këtu – por edhe shumë shumë më gjërë”.
Ka pasur diçka të veçantë në figurën e këtij malësori të Gjakovës”, tha ai për Mulosmanin. “Pamja e tij impozante, e rafinuar dhe e kultivuar… të linte përshtypjen e një… fisniku të mirëfilltë”.
Imami i njohur përmendi nderimin me dorë në zemër që e bënte aq me hije për Mbretin Zog, por shtoi se axhë Musliu ishte besnik edhe i “atdheut, kombit, si dhe besnik i fesë dhe Zotit”.
Harry Bajraktari, me të cilin e lidhte miqësia familjare por edhe idealet e përbashkëta ka bashkëpunuar me të në shumë aktivitete në vite. Ai e ka nderuar si “trashëgimtari më vjetër i familjes së Binak Alisë”.
“Ai do të përkujtohet gjithnjë si një atdhetar i devotshëm, që ai dhe paraardhësit e tij i dhanë Shqipërisë, Kosovës dhe viseve tjera etnike shqiptare”, është shprehur Harry Bajraktari.
I ndjeri Musli Mulosmanaj është nderuar me titullin “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani. (Illyria)