Çikago, 13 gusht 2024 – Në ditën e katërt dhe të fundit të Kuvendit Kombëtar Demokrat, Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, e pranoi zyrtarisht emërimin e partisë si kandidate për president në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Gjatë fjalimit të saj para turmës entuziaste, zonja Harris u tha amerikanëve se në nëntor kanë një shans për një “rrugë të re përpara”.
“Në këto zgjedhje, kombi ynë ka një mundësi të çmuar, për të tejkaluar hidhërimin, cinizmin dhe betejat përçarëse të së kaluarës. Një shans për të përcaktuar një rrugë të re përpara, jo si anëtarë të një partie apo fraksioni, por si amerikanë”, tha ajo.
Zonja Harris premtoi se ajo do të jetë presidente e të gjithë amerikanëve, pa dallim.
“Do të jem një presidente që na bashkon të gjithëve rreth aspiratave tona më të mëdha. Një presidente që udhëheq e dëgjon, që është realiste, praktike. Që vepron në mënyrë të arsyeshme dhe gjithmonë lufton për popullin amerikan. Nga gjykata në Shtëpinë e Bardhë, kjo ka qenë puna e jetës sime”, tha ajo.
Zonja Harris u bë gruaja e parë me ngjyrë dhe personi i parë me origjinë nga Azia Jugore që e pranoi emërimin për presidente nga një parti e madhe dhe, nëse zgjidhet, do të jetë presidentja e parë grua e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Një pjesë të mirë të fjalimit të saj ajo ia kushtoi prejardhjes dhe familjes së saj, me një nënë që bëri shumë për të rritur atë dhe motrën e saj.
“Nëna ime ishte 19 vjeçe kur përshkoi botën e vetme, duke udhëtuar nga India në Kaliforni me një ëndërr të palëkundur, për të qenë shkencëtarja që do të kuronte kancerin e gjirit”, tha zonja Harris.
“Ne e dimë se një klasë e mesme e fortë ka qenë gjithmonë jetike për suksesin e Amerikës. Dhe ndërtimi i kësaj klase të mesme do të jetë një qëllim përcaktues i presidencës sime. Kjo është diçka personale për mua, pasi unë vij nga klasa e mesme”, tha ajo.
Zonja Harris solli në vëmendje edhe njërën nga arsyet përse kishte vendosur të bëhej prokurore. Ajo kujtoi historinë e trishtë të shoqes së saj në shkollën e mesme, Wanda, e cila i kishte rrëfyer se po abuzohej seksualisht nga njerku i saj. Zonja Harris tha se pasi kishte mësuar për këtë e kishte ftuar atë të shkonte në shtëpinë e saj.
“Kjo është njraë nga arsyet përse u bëra prokurore. Për të mbrojtur njerëzit si Wanda”, tha zonja Harris.
Gjatë fjalimit të saj, ajo e kritikoi ish-Presidentit Trump. Ajo tha se të gjithë amerikanët e dinë rrezikun që paraqet ardhja e tij në pushtet për herë të dytë.
“Në shumë mënyra Donald Trump është një njeri joserioz, por pasojat e rikthimit të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë janë jashtëzakonisht serioze. Kini parasysh pushtetin që ai do ta ketë, veçanërisht pasi Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi që ai të gëzojë imunitet nga ndjekja penale”, theksoi ajo.
Gjatë fjalimit të saj zonja Harris tha se ajo, si president e Shteteve të Bashkuara, do të kujdeset që ushtria amerikane ta ketë forcën luftarake më të fuqishme e më vdekjeprurëse në botë. Ajotheksoi se do të përmbushë atë që e konsideroi si detyrim të shenjtë, kujdesin për trupat amerikane dhe për familjet e tyre, duke u siguruar që t’i nderojë dhe kurrë të mos e përçmojë sakrificën e tyre.
“Ne do ta drejtojmë botën drejt së ardhmes, në hapësirë dhe inteligjencën artificiale. Amerika dhe jo Kina do ta fitojë garën në shekullin e 21-të dhe ne do ta forcojmë dhe nuk do të heqim dorë nga roli udhëheqës në arenën globale”, tha ajo.
Nënpresidentja Kamala Harris tha se, nëse zgjidhet president, do të jetë në krah aleatëve të NATO-s dhe me Ukrainën, ndërsa rivalin e saj në garën për president, Donald Trump, e akuzoi se e ikurajoi presidentin rus, Vladimir Putin, të sulmojë aleatët e Shteteve të Bashkuara.
“Trump, nga ana tjetër, kërcënoi se do ta braktisë NATO-n. Ai inkurajoi Putinin të sulmonte aleatët tanë. Ai tha se Rusia, po e citoj, ‘mund të bëjë çfarë të dojë’. Pesë ditë përpara se Rusia ta sulmonte Ukrainën, unë u takova me Presidentin Zelensky për ta paralajmëruar për planin rus për të sulmuar. Ndihmova në mobilizimin e një reagimi global të mbi 50 vendeve për t’u mbrojtur kundër agresionit të Putinit. Si presidente, do të qëndroj fort me Ukrainën dhe me aleatët tanë të NATO-s”, tha ajo.
Zonja Harris foli edhe për luftën në Gazë. Ajo tha se gjithmonë do ta mbrojë të drejtën e Izraelit për mbrojtjen e vetes.
“Më lejoni të jem e qartë, unë gjithmonë do të mbroj të drejtën e Izraelit për ta mbrojtur veten. Do të sigurohem gjithmonë që Izraeli të ketë aftësinë për ta mbrojtur veten, sepse populli i Izraelit nuk duhet të përballet më kurrë me tmerrin që një organizatë terroriste, e quajtur Hamas, shkaktoi më 7 tetor, përfshirë dhunën seksuale të papërshkrueshme dhe masakrimin e të rinjve në një festival muzikor”, tha ajo.
Por, zonja Harris e cilësoi “shkatërruese dhe të dhimbshme” humbjen e shumë jetëve të pafajshme dhe dëshpërimin e vuatjen e njerëzve në Gazë. Ajo tha se bashkë me Presidentin Biden po punojnë për arritjen e një marrëveshjeje për pengjet dhe për një armëpushim dhe theksoi se tani është koha për ndalimin e luftës.
“Presidenti Biden dhe unë po punojmë për t’i dhënë fund kësaj lufte në mënyrë që Izraeli të jetë i sigurt, pengjet të lirohen, vuajtjet në Gazë të marrin fund dhe populli palestinez të mund të sigurojë të drejtën e tij për dinjitet, siguri, liri dhe vetëvendosje”, theksoi ajo.
Zonja Harris tha se ajo asnjëherë nuk do të hezitojë të ndërmarrë çfarëdo veprimi të nevojshëm për të mbrojtur trupat dhe interesat amerikane nga terroristët e mbështetur nga Irani, duke theksuar atë që ajo e cilëson si “kontrast të forte” mes saj dhe zotit Trump.
“Unë nuk do të miqësohem me tiranët dhe diktatorët si Kim Jong Un-i që po bëjnë tifo për Trumpin, që ai të fitojë. Ata e dinë që ai është i lehtë për t’u manipuluar, me lajka dhe me favore. Ata e dinë se Trumpi nuk do t’i mbajë përgjegjës autokratët, sepse ai dëshiron të jetë vetë një autokrat”, u shpreh ajo.
Shumë prej grave delegate dhe mbështetëseve të kësaj force politike që merrnin pjesë në Kuvendin Kombëtar Demokrat ishin veshur me të bardha, ngjyrën që e simbolizon të drejtën e votës së grave – një lëvizje që kulmoi me sigurimin e së drejtës së grave amerikane për të votuar, të vitit 1920.
Përpara fjalimit të zonjës Harris, në Kuvend u krijua një atmosferë festive, me fjalime të shumta mbështetjeje për të. Në skenë u ngjitën edhe dy nga mbesat e vogla të nënpresidentes, të cilat u sollën aty nga aktorja Kerry Washington, për t’ua kujtuar të pranishmëve në Kuvend, por dhe audiencës së gjerë se si shqiptohet saktë emri i zonjës Harris.
Me gjithë rolin e saj si nënpresidente, zonja Harris i ka kaluar katër vjet nën hijen e Presidentit Biden, duke i lënë një pjesë të amerikanëve të paqartë mbi vizionin e saj politik për vendin.
Nga ana tjetër, republikanët e kanë cilkësuar zonjën Harris si “komuniste” dhe si “liberale të rrezikshme”.
Ekipi i zonjën Harris ka vënë theksin tek e shkuara e saj në strukturat e zbatimit të ligjit, përfshirë periudhën kur ajo ka shërbyer si prokurore e qarkut të San Franciskos dhe si prokurore e përgjithshme e Kalifornisë. Më pastaj, zonja Harris u zgjodh anëtare e Senatit, ndërsa në vitin 2020 garoi për emërimin e demokratëve për garën presidenciale, por nuk pati sukses.
Zonjës Harris u afirmua në skenën politike në nivel kombëtar kur Joe Biden e zgjodhi kandidate për nënpresidente.
Si nënpresidente, fillimisht zonja Harris ndeshi në vështirësi, por reputacioni i saj u rrit kur ajo e mori rolin e avokates kryesore të administratës së Presidentit Biden mbi të drejtën për abort, pas vendimit të Gjykatës së Lartë për t’ia hequr mbrotjen kushtetuese që gëzonte kjo e drejtë. Demokratët e shfrytëzuan zemërimin publik ndaj këtij vendimi, për të frenuar humbjen e tyre në zgjedhjet e fundit për Kongresin, të cilat u mbajtën në mesin e mandatit të presidentit Biden.
Zonja Harris e mbrojti presidentin Biden pas paraqitjes së tij të dobët në debatin televiziv me zotin Trump. Prej rreth një muaji, kur Biden hoqi dorë nga gara për president, zonja Harris, arriti ta unifikojë Partinë Demokrate, e cila i dha menjëherë mbështetje kandidaturës së saj për presidente.
“Miqtë e mi amerikanë, unë e dua vendin tonë me gjithë zemër. Kudo që shkoj, tek të gjithë ata që takoj, shoh një komb të gatshëm për të ecur përpara. Gati për hapin tjetër, në udhëtimin e jashtëzakonshëm që është Amerika. Unë shoh një Amerikë ku ne mbajmë fort besimin e patrembur që e ndërtoi kombin tonë. Kjo gjë e frymëzoi botën, duke treguar se këtu, në këtë vend, gjithçka është e mundur dhe se asgjë nuk është e paarritshme”, theksoi Kamala Harris, në ditën e fundit të Kuvendit Kombëtar Demokrat.
(Sipas Zërit të Amerikës)