Drejtori i CIA-s, William Burns takohet me kryeministrin Kurti

Prishtinë, 23 gusaht 2024 – Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, William Burns, është takuar të premten në mëngjes me kryeminsitrin e Kosovës, Albin Kurti.

Takimi ka zgjatur rreth një orë.

Zoti Burns, i shoqëruar nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka hyrë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovë rreth orës 09:00 dhe ka dalë pas rreth një ore.

Të enjten, zoti Burns është takuar në Prishtinë me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.

Asnjëra palë nuk ka folur për përmbajtjen e takimeve.

Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë pason vizitat e tij në Bosnje e Hercegovinë dhe në Serbi.

Të martën, më 20 gusht, Burns u takua në Sarajevë me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnjës e Hercegovinës, Almir Xhuvo, dhe me anëtarët e Presidencës së Bosnjës e Hercegovinë.

Një zyrtar i Qeverisë amerikane i ka thënë Radios Evropa e Lirë se gjatë takimeve në Sarajevë është diskutuan për “çështje me interes të përbashkët, përfshirë integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës”.

Sipas zyrtarit amerikan, zoti Burns ka ngritur shqetësimet për retorikën secesioniste dhe veprimet e presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodikut, dhe të qeverisë së këtij entiteti të Bosnjës e Hercegovinës.

Të mërkurën, drejtori i CIA-s qëndroi në Beograd. Mediet në Serbi raportojnë se ai është takuar me shefin e Agjencisë Informative e të Sigurisë (Bezbednosno Informativna Agencija, BIA) Vladimir Orliq, por asnjë njoftim zyrtar nga takimi nuk është dhënë nga palët.

Vizita e z. Burns në Bosnjë e Herecegovinë, në Serbi dhe në Kosovë vjen pas vizitës së Ndihmëssekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge.

Zoti Ruge bëri të ditur se në takimet me autoritetet e të tri vendeve është diskutuar për “çështjet rajonale përfshirë çështjen e sigurisë në Kosovë”.

Pas takimit me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Ruge bëri të ditur se ka kërkuar të nxirren para drejtësisë përgjegjësit për dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan, në muajin maj, dhe për sulmin terrorist në Banjskë, më 24 shtator.

“Ne biseduam gjithashtu për çështjet rajonale, duke përfshirë sigurinë e përhershme në Kosovë. NATO-ja pret që Serbia të ndihmojë në sigurimin e përgjegjësisë së plotë për aktet e dhunshme në maj dhe shtator 2023”, ka shkruar Ruge në platformën X.

Analistët i vështrojnë të dy vizitat në kontekstin e zhvillimeve aktuale në rajon, të cilat konsiderohen kërcënuese për paqen e sigurinë, si nga veprimet e faktorëve të brendshëm ashtu edhe nga ndikimet e Rusisë.

(r.m.)