Prishtinë, 23 gusht 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar të premten një njoftim të shkurtër për takimin që ka pasur të enjten me Drejtorin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns.
Ajo nuk ka treguar se cilat kanë qenë temat që janë diskutuar në takim, por ka lënë të kuptohet se Aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është kruciale për paqen e sigurinë dhe për zhvillimin e Kosovës.
“Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garancë për siguri, paqe e sukses! Kënaqësi që mirëprita dje në Republikën e Kosovës Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), Ambasadorin William Burns”, ka shkruar Presidentja Osmani në rrjetin social Facebook.
Përveç me Presidenten Osmani, Drejtori i CIA-as, William Burns, u takua të enjten në Prishtinë edhe me Drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, ndërsa të premten në mëngjes u takua me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Asnjëra palë nuk ka treguar për çka është biseduar në këto takime.
Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë pason vizitat e tij në Bosnje e Hercegovinë dhe në Serbi, menjëherë pas vizitës në këto vende të Ndihmëssekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge.
Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në rajon, është e logjikshme të besohet se z. Burns ka shprehur shqetësimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për paqen e sigurinë dhe të ketë bërë paralajmërime të forta për të gjitha palët.
(r.m.)