Teheran, 23 gusht 2024 – Ministri i ri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, bëri thirrje që përmes dialogut të zgjidhen çështjet dypalëshe me Bashkimin Evropian, pas një bisede telefonike që zhvilloi me kryediplomatin e bllokut.
“Republika Islamike e Iranit mirëpret zhvillimin e raporteve me BE-në në një mjedis të bazuar në respekt të ndërsjellë”, tha Araghchi, sipas një njoftimi për media.
Raportet mes BE-së dhe Iranit janë përkeqësuar viteve të fundit.
Blloku evropian e akuzon Teheranin se po dështon që të frenojë aktivitetin e tij bërthamor, i ofron mbështetje Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – se mbështet luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe shkel të drejtat e njeriut.
Zhvillimi i raporteve “kërkon dialog për zgjidhjen e çështjeve mes dy palëve dhe përmirësimin e politikave të gabuara të shteteve evropiane”, shtoi Araghchi.
Ndërkaq, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, shkroi në platformën X, se kishte biseduar me homologun e tij iranian për “mundësinë e ripërtëritjes së angazhimit në fusha të interesit të përbashkët”.
Ai tha se gjatë bisedës është diskutuar për “nevojën e uljes së tensioneve” dhe “ndaljes së bashkëpunimit ushtarak” me Rusinë dhe për frenimin e aktiviteteve bërthamore.
Borrell tha se një dialog i tillë është “thelbësor dhe është i nevojshëm për uljen e tensioneve rajonale”.
Irani dhe aleati i tij libanez, Hezbollahu – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – janë zotuar se do t’i hakmerren Izraelit, pas vrasjes në Bejrut të një komandanti të Hezbollahut dhe të shefit politik të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – në Teheran muajin e kaluar.
Araghchi, që mori detyrën e kryediplomatit më herët gjatë javës, njihet për afërsinë e tij me Perëndimin.
Ai më herët kishte qenë shef i negociatorëve për çështje bërthamore dhe kishte luajtur rol kyç në arritjen e marrëveshjes bërthamore mes Iranit dhe fuqive perëndimore më 2015.
Por, më 2018 presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja. Përpjekjet për ringjalljen e marrëveshjes deri më tani nuk kanë qenë të suksesshme.
(Radio Evropa e Lirë)