Beograd, 23 gusht 2024 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot se kundërstarët e tij politikë kanë dalë me idenë për vrasjen e tij. Ai ua drejtoi gishtin biznesmenit serb Dragan Shollak dhe “shërbëtorëve të tij politikë”.
Në një video të postuar në llogarinë “buducnostsrbijeav” në Instagram, Vuçiq tha se ditët e fundit ka pasur “kërcënime të shpeshta ndaj organeve shtetërore, politikanëve, prokurorëve, gjykatësve dhe shkencëtarëve që guxuan të thonë të vërtetën” dhe të kundërshtojnë narrativën e manjatit dhe kriminelit Dragan Shollak dhe shërbëtorëve të tij politikë”.
“Ata dolën me idenë se duhet të më vrasin që të realizojnë revolucionin. Shumë herë u kanë thënë se kjo është zgjidhja e tyre e vetme, sepse me zgjedhje nuk do t’i fitonin kurrë. Jo sepse rregullat janë të tilla apo të atilla, por sepse populli nuk i ka dashur dhe nuk do t’i dojë kurrë”, tha VuçiqVuçiq tha se ata edhe mund ta vrasin, “por të fitojnë në Serbi dhe të bëjnë njëfarë revolucioni duke u bazuar në gënjeshtra e mashtrime dhe t’i kthejnë njerëzit në të kaluarën, në kohën e hajnisë, vjedhjes, plaçkitjes, varfërisë në Serbi nuk do të mund ta bëjnë kurrë”, tha Vuçiq.
Ai i porositi qytetarët e Serbisë që të jenë të qetë, sepse, siç u shpreh, “nuk ka asgjë nga një marrëzi e tillë”.
Kjo nuk është hera e parë që Presidenti i Serbisë bën delarata të tilla. Ai e ka bërë këtë edhe here të tjera, kur është ballafaquar me protesta të qytetarëve kundër qeverisjes së tij. Tani e bën këtë derisa përballet me reagimin e fuqishëm qytetar kundër marrëveshjes për nxjerrjen e xehes së litiumit, të nëshkruar me Bashkimin Evropian.
Pak ditë më parë, varësit e tij thanë se “një shërbim sekret i një vendi mik” ka parajamëruar se në Serbi gjoja po përgatitet grusht shtet dhe vrasje e Vuçiqit. Zëvendëskryeministri Aleksandar Vulin, gjatë vizitës së tij në Moskë, para disa ditësh, e falënderoi shërbimin secret rus për këtë “informacion.
(r.m.)