Diplomacia ndërkombëtare, përfshiRë edhe atë gjermane, prej nga vjen Heiko Maas, nuk mund të aplikojnë standarde të dyfishta, duke i toleruar serbët e Kosovës të shnukin sa më shumë territor nga ky shtet, sikur Kosova të ishte një mullar sane ku mund të shuajnë urinë të gjithë aventurierët e hegjemonizmit serb, ndërkohë që shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut t’u thuhet se i kanë të gjitha të drejtat dhe nuk mund të jenë komb shtetformues në këtë shtet.
Nga Emin AZEMI
Kryediplomati gjerman Heiko Maas paska deklaruar se Maqedonia e Veriut i ka përmbushur kushtet për të filluar negociatat me BE-në. Kjo sipas tij duhet të ndodh edhe për shkak të besimit të madh që e kanë qytetarët e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, dhe për shkak të interesit të BE-së për t’u zgjeruar në Ballkanin Perëndimor.
“Kushtet, për qasje në Bashkimin Evropian i ka përmbushur që një kohë të gjatë. Për këtë, vjeshtën e kaluar u përkushtuam shumë që të hapim konferencën e parë qasëse në kuadër të kryesimit tonë. Por, atëherë nuk arriti, dhe tani në kohën e kryesimit portugez dhe më tej punojmë në atë, sepse konsiderojmë se jo vetëm që ka kuptim, por është e patjetërsueshme”, ka deklaruar Mass.
Në deklaratën e kryediplomatit gjerman, është inkurajuese vetëm një pjesë e saj teksa flet për besimin e madh që e kanë qytetarët e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Por pse qytetarët e Maqedonisë së Veriut e paskan këtë besim kaq të madh besimit të madh në Bashkimin Evropian?
Ja pse…
Sepse qytetarët, sidomos ata shqiptarë, besojnë se BE një ditë do të kthjellet dhe do ta sheh me një sy më kritik realitetin në Maqedoninë e Veriut , sidomos në fushën e drejtësisë.
Se sa një shtet është i drejtë dhe i lumtur për banorët e saj, vizitojani burgjet.
Aktualisht nëpër burgjet e Maqedonisë, përqindja e shqiptarëve është shumë e lartë në proporcion me përfqindjen e banorëve shqiptarë në këtë shtet.
Gjyqësia selektive, e njëanshme dhe tepër destruktive ka procesuar disa raste të montuara por edhe disa raste të tjera ku shqiptarët marrin dënime maksimale. Për vepra të njejta (psh pjesëmarrja në protesta) qytetarët maqedonas kalojnë nëpër gjykata si të ishin në vizitë të dajtë apo tezet e tyre. Për dallim nga ata, shqiptarët dënohen edhe me nga 4, 5 vite burg për pjesëmarrje në protesta dhe ky nuk paraqet kurrfarë shqetësimi as politik, as qytetar, për një shtet që, sipas, kryediplomatit gjerman, i paska përmbushur kushtet për të filluar negociatat qasëse me Bashkimin Evropian.
Në Maqedoninë e Veriut burgjet janë plot me shqiptarë të pafajshëm, mirëpo mekanizmi për detektimin e drejtësisë selektive nuk funksionon. Mungojnë iniciativat parlamentare për riprocesimin e rasteve të montuara dhe krejt puna iu lihet në dorë prokurëve e gjyqtarëve të cilët ende nuk janë të pavarur të marrin vendime të drejta.
BE duhet t’i bëjë një ‘skrining’ të thellë gjendjes nëpër burgje dhe të interesohet se pse ësht kaq e lartë përqindja e shqiptarëve që vuajnë dënime drakonike.
Madje edhe avokatëve maqedonas iu ka rënë në sy kjo gjendje alarmanete sa i përket numrit të të burgosurve shqiptarë, që është në shpërputhje të plotë me strukturën demografike.
Shqiptarët në njërën anë i prezantojnë si pakicë, kurse në anën tjetër nëpër burgje janë shumicë. Pra, kur duan t’i vendosin në dioptrinë e punëve të këqia, aty patjetër duhet të jenë shqiptarët, kurse sa i përket fuqisë demografike të tyre, ata patjetër duhet të margjinalizohen dhe të rrudhen në kufinjtë absurd të pakicës kombëtare. Kjo është edhe aryeja se pse Zaevi dhe Mickovski u morën vesh ta shtyejnë regjistrimin dhe mundësisht mërgata jonë të mos regjistrohet si qytetar rezident, por vetëm të evidentohen në një listë të posaçme.
Shumatorja e përgjithshme e regjistrimit të popullates së Maqedonisë së Veriut, duhet patjetër të rikonfirmojë një të vërtetë të fabrikuar nëpër laboraoret maltusiane të maqedeonizmit sipas së cilës shqiptarët në Maqedoni patjetër duhet të kualifikohen si pakicë kombëtare, paçka se ata mund të jenë edhe dyzetë përqindshim i popullatës së përgjithshme.
Një shtet që nuk arrin të organizojë një regjistrim sagllamë, pa dallavere dhe pa hile, si po i plotësoka kushtet të fillojë negociatat për anëtarësim në BE.
Këtë fakt a nuk po e ditka kryediplomati gjerman Heiko Maas, apo këtë ka qenë dashur dikush nga politika shqiptare (pushtet-opozitë) t’ia thotë.
Apo ndoshta politika jonë (shqiptare) ende nuk i ka përfunduar betejat përgjakshme për shfarosjen e njëri tjetrit, prandaj komunikimi i mirëfilltë me faktorin ndërkombëtar po mungon. Sidomos tani kur kanë dalur në pah shumë non-paper-a, me të cilat jepen parashikimet ma të ndryshme mbi ripërkufizimin etnik të hapësirës së dikurshme të ish-Jugosllavisë, ku gjithsesi faktori serb, i sponsoruar edhe nga Rusia, po del sërish dominant me lojëra e marifetllëqe nën tavolinë, për arsye se në të shumtëne rasteve licenca e këtyre non-paper-ëve ndodhet ose në Beograd, ose në Moskë.
Çuditërisht vetëm faktori politik e intelektual shqiptar në Maqedoni (me disa përjashtime të vockëla) ndodhet në aut dhe nuk është në kurrfarë orbite ku sillen “trupat” tjerë “qiellorë” të politikës rajonale dhe botërore. Me fjalë të tjera, ky faktor është komplet jashtë orbitës dhe po e bën një udhëtim astral shumë të lezetshëm. Një Zot e di se ku do të përfundojë ky lundrim jashtëhapësinor, jashtëkohor e jashtëtrunor i këtij faktori?!
Nëse e lexojmë mirë heshtjen këtij faktori, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, me mbi 30 për qind, janë tepër të kënaqur me statusin tyre të pakicës kombëtare që ua përcakton kushtetuta aktuale dhe nuk kanë arsye që ta ngrenë këtë status në nivelin e shtetformësisë, kundrejt tendencave retrograde të serbëve të Kosovës të cilët nuk po pushojnë së kërkuari status special ekstrateritorial (për Verin, për manastiret dhe për enklavat) me vetëm 5 për qind si popullatë.
Diplomacia ndërkombëtare, përfshi edhe atë gjermane, prej nga vjen Heiko Maas, nuk mund të aplikojnë standarde të dyfishta, duke i toleruar serbët e Kosovës të shnukin sa më shumë territor nga ky shtet, sikur Kosova të ishte një mullar sane ku mund të shuajnë urinë të gjithë aventurierët e hegjemonizmit serb, ndërkohë që shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut t’iu thuhet se ju i keni të gjitha të drejtat dhe nuk mund të jeni komb shtetformues në këtë shtet. Të gjithë ata që aplikojnë standarde të tilla çoroditëse, duhet ta kenë të qartë përfundmisht se prishja e balanceve në Ballkan kanë ndodhur gjithmonë kur janë shkelur me të dy këmbët parimet fundamentale të lirive të kombeve për të jetuar dinjitetshëm në hapësirat e tyre etnike e shtetërore. Nëse këto parime vazhdojnë të shkilen, mos pritni nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut se me indiferencë do ta shohin bosnjizimin e Kosovës, sepse edhe ata do të kërkojnë nga bashkësia ndërkombëtare aplikimin e formulave të njëjta etnike si për serbët e Kosovës. Pse mos ta bëjnë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, kur po mundkan serbët e Kosovës?