Bashkia e qarkut Rastatt, në Gjermani: Tim Walz ka rrënjë gjermane

Kandidati për zëvendëspresident i Partisë Demokrate në SHBA, Tim Walz e ka origjinën gjermane, ashtu sikurse ish-presidenti dhe kandidati i republikanëve, Donald Trump.

Kandidati i demokratëve për zëvendëspresident të SHBA-së, Tim Walz, i ka rrënjët gjermane nga zona veriore e Schwarzwald. Bashkia në qarkun Rastatt ka thënë se paraardhësit e Timothy James (Tim Walz) kanë ardhur nga Kuppenheimi. Sipas bashkisë, ai nuk ka më pasardhës të drejtpërdrejtë në Kuppenheim.

Pasi u bë e njohur kandidatura e Walz në fillim të gushtit, qyteti i vogël gjerman me rreth 8500 banorë pati një numër të lartë këkesash nga mediat. Si rrjedhojë, arkivat e qytetit punuan së bashku me Shoqatën Historike për të nxjerrë detaje të tjera, si për shembull për të afërm të Tim Walz që jetojnë në Kuppenheim. Por, meqenëse të pesë djemtë e Anton Walz nga Kuppenheimer (1808-1871) kanë emigruar në SHBA në vitet mes 1867 dhe më 1884 nuk ka më asnjë pasardhës të drejtpërdrejtë në Gjermani.

Stër-stërgjysh i Tim Walz ishte këpucari nga Kuppenheimi Sebastian Walz (1843 – 1915), i cili emigroi në SHBA dhe u transferua në Nebraska, në vitin 1867. Atje ai u martua me kanadezen Anna Mary Berger. Djali i tyre i madh ishte John Frederick Walz (1874-1961), stërgjyshi i kandidatit për zëvendëspresident dhe guvernatorit amerikan të shtetit amerikan të Minesotës, Tim Walz.

Ndoshta ka edhe banorë me këtë emër me lidhje farefisnie me politikanin amerikan, pasi emri Walz është mjaft i përhapur. Por, përcaktimi i saktë i tyre do të kërkonte shumë kohë dhe, përveç kësaj,  mbrojtja e të dhënave e bën të pamundur publikimin e të dhënave.

Edhe kandidati republikan për president dhe ish-presidenti amerikan Donald Trump ka rrënjë gjermane, rreth 100 kilometra larg në veri të Kuppenheimit. Gjyshi i tij, Friedrich Trump (1869-1918) migroi në Amerikë në vitin 1885, nga Kallstadti gjerman.

(dw.de)