Kryeparlamentari Gashi thirret në interpelance lidhur me incidentin në Aeroportin e Shkupit

Shkup, 27 gusht 2024 – Interpelanca e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, lidhur me incidentin me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, do të jetë pikë e parë e rendit të ditës të seancës plenare të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, më 3 shtator.

“Do të jetë mesazh i mirë për të gjithë, për publikun dhe për partitë politike se ne jemi të hapur për debat”, tha Gashi, në një prononcim për media.

Sipas Rregullores së re të Kuvendit, nëse ndonjë anëtar i Kuvendit bën kërkesë për interpelancë ndaj kryeparlamentarit, kjo çështje duhet të vendoset si pikë e parë e seancës së radhës plenare.

Kërkesa për interpelancë ndaj Gashit u bë nga deputetët e partisë E Majta, më 1 gusht.

Lidhja Social Demokrate opozitare kërkoi largimin e Gashit, duke thënë se ai ishte përgjegjës për incidentin. Deputetët opozitarë e mbajnë përgjegjës Gashin dhe i kanë kërkuar kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski, i cili ka thënë se nuk mbështet një interpelancë ndaj Gashit.

Incidenti ndodhi pasi zyrtarët e Aeroportit të Shkupit, sipas Presidencës së Kosovës, tentuan t’i merrnin telefonin personal presidentes Osmani, gjatë kontrollit në aeroport. Ajo dhe pjesëtarët e sigurimit të saj më pas thirrën në telefon Gashin për ta informuar për incidentin, duke besuar se në këtë rast ishin shkelur praktikat ndërkombëtare. Gashi deklaroi më 27 gusht se ai reagoi pas kësaj telefonate, me qëllim që të shmangte një incident të madh.

Kryeparlamentari Gashi tha se ai do të dëshironte të shkonte në Aeroport së bashku me sigurimin, por e kishte të pamundur për shkak të obligimeve tjera. Ai tha se pas kthimit të sigurimit të tij nga aeroporti ishte njoftuar se incidenti ishte zgjidhur.

Gashi theksoi ai ai nuk i kishte kërkuar askujt të vepronte në mënyrë të paligjshme.

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut kishte raportuar se kreu i sigurimit të Gashit dhe dy anëtarë të tjerë të ekipit të tij, me urdhër të kryeparlamentarit, kanë shkuar në zonën VIP të Aeroportit dhe janë konfrontuar me policët e Aeroportit, duke insistuar që Presidentja Osmani të kalonte pa iu nënshtruar kontrollit të sigurisë.

Më 2 gusht, Ministria e Jashtme e Kosovës i dërgoi notë proteste Shkupit, duke kërkuar sqarim të plotë të incidentit me Presidenten Osmani.

Dy ditë më pas, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkoi në vizitë në Shkup, ku u takua me kryeministrin e Maqeodnisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Pas takimit Kurti dhe Miickoski thanë se incidenti nuk i ka prekur raportet mes dy shteteve.

Por, Presidentja Osmani tha se ajo tash e tutje nuk do të kalojЍ nëpër Maqedoninë e Veriut, gjatë udhëtimeve në vende të treta.

(r.m.)