Padia federale pezullon programin e Presidentit Joe Biden për të mbajtur të bashkuara familjet

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Gjashtëmbëdhjetë shtete të udhëhequra nga republikanët, me në krye shtetin e Teksasit dhe organizatën ligjore konservatore “America First Legal” (themeluar në vitin 2021, me president Stephen Miller, ish-këshilltar i lartë i presidentit Trump), ngritën një padi për të bllokuar programin PIP “Të mbajmë të bashkuara familjet” të DHS-së, i cili filloi të vihet në zbatim më 19 gusht 2024. Rregullorja e këtij programi u mundëson një kategorie emigrantësh pa dokumente, të martuar me nënshtetas amerikanë, të marrin parole (pra leje që të pranohen në mënyrë të ligjshme në SHBA) për arsye humanitare si dhe u hap një shteg drejt marrjes së green card-ës pa qenë nevoja të largohen nga SHBA-ja. Shtetet pjesëmarrëse të kësaj padie janë: Teksasi, Idaho, Alabama, Arkansas, Florida, Georgia, Iowa, Kansas, Louisiana, Misuri, Dakota e Veriut, Ohio, Karolina e Jugut, Dakota e Jugut, Tenesi dhe Wyoming. Më 26 gusht 2024, Gjykatësi Barker i Gjykatës së Qarkut në Teksas lëshoi një pezullim administrativ të programit në fjalë për të paktën një periudhë 14-ditore.

Gjykatave federale u kërkohet shpesh që të lëshojnë forma të ndryshme vendimesh të përshpejtuara, mes të cilave dhe pezullime në pritje të apelimit. Gjykatat federale përdorin pezullimet administrative për të mbajtur “të ngrira” procedurat ligjore, deri sa të kenë mundësi të marrin një vendim mbi kërkesën e njërës palë për pezullim të procedurës ligjore në pritje të apelimit (pezullim “administrativ” ose “i përkohshëm”). Gjykatat federale bazohen në autoritetin që kanë për të lëshuar ose jo urdhrat për pezullim, në përputhje me parimet ligjore dhe në rast se konstatojnë një dëm të mundshëm. Diçka e tillë do të ketë ndikim të ndjeshëm në zbatimin e programit PIP si dhe tek ata që ushqejnë shpresa dhe besojnë se më në fund do të kenë status të ligjshëm emigranti në SHBA.

Aplikuesit mund të vazhdojnë të paraqesin aplikimet për parole (FORMULARI I-131F) pranë Shërbimit të Nënshtetësisë dhe të Emigracionit të Shteteve të Bashkuara (USCIS), por USCIS-i mund të mos ua japë lejen në fjalë (parole pa qenë nevoja që të largohen nga vendi). Pezullimi administrativ mund të zgjatet më tej për arsye bindëse ose në rast se të gjitha palët kundërshtare bien dakord që pezullimi të zgjatet. Gjykata e Teksasit thekson se mund të egzistojnë arsye bindëse që pezullimi administrativ të shtyhet deri në mesin e tetorit. Kjo do të ishte frustruese për shumë njerëz, pasi dita e zgjedhjeve është më 5 nëntor 2024.

Kjo padi dhe pezullimi administrativ do të përbëjnë padyshim një çështje të rëndësishme në muajt e ardhshëm të fushatës dhe në debatet mes zëvendës Presidentes Kamala Harris dhe ish-Presidentit Donald Trump. Është plotësisht e mundur që programi PIP të anulohet ose të kufizohet ndjeshëm. Vazhdoni na ndiqni, pasi do t’ju informojmë mbi ecurinë e padisë sapo të kemi më shumë informacion.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]