Beograd, 29 gusht 2024 – Serbia nënshkroi me Francën marrëveshje për blerjen e avionëve ushtarakë francez “Rafale”, të enjten në mbrëmje, në nisje të vizitës dy ditëshe të Presidentit francez Emmanuel Macron në Beograd, raporton Zëri i Amerikës.
Sipas zyrtarëve francezë, marrëveshja me vlerë prej 2.7 miliardë eurosh është pjesë e strategjisë më të gjerë për ta afruar Serbinë me Bashkimin Evropian.
Presidenti Macron e quajti marrëveshjen “historike dhe të rëndësishme” dhe e vlerësoi “guximin strategjik” të Serbisë.
“Është një demonstrim i vërtetë i frymës evropiane”, tha ai, duke nënvizuar se Serbia është vend me rëndësi për sigurinë në Evropë.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia do të blejë 12 avionë “Rafale”, duke e cilësuar blerjen “një lajm të madh”, por nuk tha se kur do të arrijnë avionët në Serbi. Ai tha se kjo paraqet blerjen më të madhe të armatimeve nga Perëndimi.
Serbia e kishte shqyrtuar blerjen e avionëve të rinj” Rafale” për më shumë se dy vjet, pasi rivalja e saj në Ballkan, Kroacia, i bleu 12 avionë luftarakë të përdorur të këtij lloji në vlerë prej rreth 1 miliard eurosh.
Blerja e këtyre avionëve ia mundëson Serbisë të modernizojë forcën e saj ajrore, e cila përbëhet kryesisht nga avionë “MiG-29” të prodhimit sovjetik dhe avionë të vjetër jugosllavë.
Rusia ka qenë furnizues tradicional i Serbisë me avionë ushtarakë dhe helikopterë.
Serbia ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë pas agresionit të saj ndaj Ukrainës. Vuçiq tha se nuk turpërohet që nuk ka vendosur sanksione Rusisë.
“E di që Emmanueli do të donte që ne t’i vendosim sanksione Rusisë, por nuk më vjen turp për vendimin tim”, tha presidenti serb.
Presidenti francez tha se Serbia si vend sovran ka të drejtë të vendosë vet për marrëdhëniet me vendet e tjera, ndonëse në një shkrim autorial të publikuar në të përditshmen proqeveritare serbe “Politika”, ai kishte shkruar se “me shpërthimin e luftës në kontinentin tonë, të nisur nga Rusia, … ideja se Serbia mund të kërkojë rrugën e saj në lojën e përjetshme të drejtpeshimit midis fuqive… është thjesht një iluzion”.
Shitja e avionëve “Rafale” Serbisë, e cila herë pas here ka shprehur qëndrim agresiv ndaj fqinjëve të saj ballkanikë, ka ngritur shqetësime në Perëndim. Një prej këtyre shqetësimeve është se si Franca planifikon të parandalojë që teknologjia e sofistikuar e këtyre avionëve të mos ndahet me Rusinë.
Por, zyrtarët francezë thanë se “në çdo kontratë përcaktohet një kuadër për përdorimin” e mjeteve që shiten.
Serbia kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por nën sundimin gjithnjë e më autokratik të Presidentit Vuçiq, ajo ka bërë pak përparim në fushën e sundimit të ligjit dhe në reformat demokratike, të cilat janë parakushte për anëtarësimin në bllokun 27-anëtarësh.
(r.m.)