Nju Jork, 31 gusht 2024 – Rritja me shpejtësi e përdorimit të cigareve elektronike po krijon një valë ndotjeje dhe ka ngritur shqetësime serioze për mjedisin. Korrespondenti i Zërit të Amerikës njofton rreth përpjekjeve të një gruaje në qytetin e Nju Jorkut për ta përmirësuar situatën.
Në Bruklin të qytetit të Nju Jorkut, Nora po kontrollon një nga kutitë e shumta për riciklimin e cigareve elektronike. Ajo i ka vendosur vetë këto kuti në dyqane dhe klube.
“Do të shkojmë tani tek dyqani ‘Masion Jar’, në Bruklin, për të parë kutinë e riciklimit, ku njerëzit fusin cigaret elektronike pasi i kanë përdorur, të cilat më pas do të riciklohen si pajisje elektronike”, thotë Nora.
Ajo thotë se i filloi përpjekjet për riciklimin për shkak të cigareve elektronike që shikonte të hedhura në rrugët e qytetit.
“Çfarë bëj me cigaret elektronike? I dërgoj tek riciklimi për pajisjet elektronike. Qyteti i Nju Jorkut ka caktuar vende ku njerëzit mund të sjellin një herë në javë pajisjet e tyre elektronike”, thotë Nora.
Iniciativa e saj synon të luftojë problemin gjithnjë në rritje të ndotjes nga cigaret elektronike. Megjithatë, aktivistët thonë se sfidat janë të mëdha.
“Hedhim në këtë vend mbi katër cigare elektronike në çdo sekondë. Problemi është se ato janë të përbëra nga pjesë të ndryshme, të cilat janë vërtet të vështira për t’u ricikluar apo për t’u marrë me to pasi janë hedhur”, thotë Lucas Gutterman, nga Grupi për Studimin e Interesit Publik.
Shumë nga këto paisje përmbajnë materiale të rrezikshme si bateri litiumi dhe nikotinë, të cilat mund të shkaktojnë dëm të konsiderueshëm për mjedisin. Një profesor në Universitetin e Kalifornisë në San Françisko, i cili ka bërë studime të gjera për këtë çështje, shpjegon rreziqet.
“Nikotina është në thelb një neurotoksinë. Do të thotë pra se është toksike për sistemin neurologjik, përfshirë trurin dhe nervat. Kur këto pajisje janë të hedhura në tokë dhe ka reshje, rezultati është që lëngu me nikotinë dhe kimikatet e tjera kalojnë tek uji dhe fillojnë të ndotin mjedisin përreth”, thotë Dr. Jeremiah Mock.
Edhe shoqata kryesore e tregtarëve të cigareve elektronike ka bërë thirrje për ndalimin e importeve të këtyre produkteve me një përdorim.
“Shoqata jonë ka qindra anëtarë, tregtarë dhe prodhues të cigareve elektronike. Bëmë një anketim me ta rishtazi dhe janë kundër cigareve elektronike me një përdorim, për shkak të ndikimit që kanë tek mjedisi”, thotë April Meyers, nga Shoqata për Alternativat e Lira të Tregtisë, SFATA.
Disa vende, ndër to Kina, Irani dhe Britania po vendosin rregulla të forta për këto produkte. Ndërsa Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë më shumë për të hartuar legjislacion të ri dhe për të shtuar ricklimin, individët si Nora po rrisin ndërgjegjësimin, duke i hapur kështu rrugën përpjekjeve më të mëdha për të ulur numrin e këtyre pajisjeve në të ardhmen.
(Zëri i Amerikës)