23 të vdekur në një aksident në metronë e Meksiko Sitit

Meksiko Siti, 4 maj 2021 – Tjë paktën 23 veta e humbën jetën dhe 49 u shtruan në spital, të hënën në mbrëmje, në Mexico City, pasi një mbikalim hekurudhor u shemb në një rrugë të ngarkuar me trafik, raporton Zëri i Amerikës.

Kërkimet e ekipeve të shpëtimit për të mbijetuarit e mundshëm u ndërprenë menjëherë pas aksidentit, thanë autoritetet, për shkak të rrezikut që më shumë pjesë nga mbikalimi i metrosë dhe vagonët e trenit mund të shembeshin.

Në një video të transmetuar në kanalin televiziv local “Milenio”, shihen strukturat duke rënë mbi një numër makinash, afër stacionit Olivos, në jug-lindje të qytetit, rreth orës 10.30 të mbrëmjes, sipas kohës lokale, duke ngritur re pluhuri dhe rrënojash.

Në pamjet tjera shihen të paktën dy vagonë treni të varur nga mbikalimin e dëmtuar, ndërsa zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore përdorën shkallët për të hyrë në vagonët e dëmtuar.

Por, kryebashkiakja Claudia Sheinbaum njoftoi se operacioni i shpëtimit u pezullua për shkak të rreziqeve.

Një vinç i transportuar në vendin e ngjarjes po punonte për të stabilizuar vagonët e trenit në mënyrë që ekipet e shpëtimit të mund të rinisin kërkimet, për të parë “nëse ka më shumë njerëz brenda vagonëve”, tha ajo.

(r.m.)