Pragë, 31 gusht 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se në margjina të konferencës së sigurisë Globsec, në Pragë, është takuar me zëvendësin e ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Alexandar Kasanof.
Në një postim në Facebook, Osmani ka treguar se me zotin Kasanof, i cili është i dërguar i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, ka biseduar për zhvillimet e gundit në Kosovë dhe për dialogun Kosovë-Serbi.
“Kënaqësi të takoj në Pragë Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Alexander Kasanof.
Diskutim përmbajtësor mbi zhvillimet e fundit, rëndësinë vendimtare të angazhimit proaktiv e të shtuar të Shteteve të Bashkuara për paqe të qëndrueshme në rajon, si dhe mbi dialogun Kosovë-Serbi. 🇽🇰🇺🇸”, ka shkruar Osmani.
Takimi i zonjës Osmanit me zyrtarin e lartë amerikan u zhvillua një ditë pasi SHBA-ja e kritikoi ashpër Qeverinë e Kosovës për mbylljen e komunave paralele serbe në komunat veriore të vendit. Të premten, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë tha se veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të Kosovës e dëmtojnë partneritetin mes Uashingtonit dhe Prishtinës.
Presidentja Osmani, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se veprimet për shtrirjen e sovranitetin në pjesën veriore të vendit janë legjitime, por theksoi se suksesi i përpjekjeve për ta bërë këtë varet nga bashkëpunimi me aleatët.
(r.m.)