KUR HISORINË E SHQIPTARËVE E TKURRIN VET SHQIPTARËT!

Shkrimi i historisë i ngjason shtratit të një lumi. Nëse mundohemi ta devijojmë rrjedhën e lumit, ai herë do kurdo do të rikthehet në shtratin e vet. Prandaj, edhe autorët e projektit të paralajmëruar “Historia e shqiptarëve” do të bënin gabim fatal nëse mundohen ta paraqesin historinë e shqiptarëve si një shtrat artificial ku rrjedha e lumit caktohet sipas kritereve të tejkaluara ideologjike e administrative, vetëm sa për të ruajtur njëfarë fqinjësie false me shtetet dhe pushtetet në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi.

Nga Emin AZEMI

Historia e shkruar e një populli është tërësia plotë e shtrirjes  në kohë e hapësirë  zhvillimeve si dhe proceseve etnike, ushtarako-politike, kulturore, sociale e territoriale. Nëse mungon kjo tërësi, atëherë ajo histori nuk mund të trajtohet e një populli, por e një pjese të tij, siç ka ndodhur   zakonisht deri më tani me të shkruarit  e Historisë së shqiptarëve, apo Historinë e popullit shqiptar.

Shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në Maqedoni, në Mal të Zi si dhe në Serbi të jugut, janë ndier gjithmonë të përjashtuar dhe anashkaluar nga koncepti i mbrapshtë i konceptimit të historisë në suaza të një mendësie të ngushtë, për arsye se shumë ngjarje, zhvillime e personalitet nga këto treva nuk kanë qenë të përfshirë në të ashtuquajturën Histori të shqiptarëve.

Tash së fundmi është paralajmëruar hartimi i një projekti të ri 2000 faqësh, me tre vëllime dhe me një shtrirje kohore të lëndës që nga antikiteti deri në kohët moderne. Titulli i këtij projekti duket të jetë tepër pretendues dhe kumbues: “Historia e shqiptarëve”, të cilin do ta drejtojë Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Në hartimin e kësaj vepre, që pritet të finalizohet në vitin 2023,  do të marrin pjesë 20 studiues të ndryshëm nga Shqipëria e Kosova, siç janë: akad. Pëllumb Xhufi, prof. Skënder Muçaj, prof.Neritan Ceka, prof. Gjon Berisha, prof. Sabit Syla, akad. Myzafer Korkuti, prof. Saimir Shpuza, prof. Luan Përzhita, prof. Ferid Duka, prof. Adem Bunguri; prof. Apollon Baçe, prof. Paskal Milo, akad. Beqir Meta, prof. Sonila Boçi, prof. Ledia Dushku.

Në listën e emrave të mësipërm nuk figuron asnjë studiues nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia  jugut (Presheva, Bujanoci, Medvegja). Madje mungon edhe Akademia e Shkencave e Arteve të Kosovës , si bashkëautore e këtij projekti, që do të duhej të ketë atributin e një vlere gjithëkombëtare në fushën e historiografisë.

Mungojnë pra kontributet e studiuesve të universiteteve dhe instituteve nga Shkupi, Tetova, Ulqini, Podgorica, Presheva, Bujanoci e Medvegja.

Si do të trajtohet roli dhe rëndësi e Shkupit të lashtë, bie fjala,  që nga Dardania e deri në ditët e sotme, nëse në projektin e quajtur “Historia e shqiptarëve”, nuk përfshihen studiues shqiptarë nga Shkupi, Tetova  e qytete tjera të Maqedonisë?

A mund të ketë Histori të shqiptarëve pa Kryengritjen e  Dervish Carës, pa Dioqezën Shkup-Prizren, pa familjet fisnike dhe elitare Qiriazët e Manastirit, Bojaxhinjtë dhe  Kumbarajt e Shkupit, pa Betejën e përgjakshme të Kumanovës (1912), ku luftëtarët shqiptarë me heroizëm të pashoq rrezistuan duke u bërë mish për top në mes të ushtrive osmane dhe serbe?

A mund të ketë ‘Histori të shqiptarëve’ pa kontributin e shqiptarëve të Maqedonisë së sotme në ngjarjet madhore të kombit, duke filluar nga kryengritjet e Skënderbeut, e deri te Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Kongresi i Manastirit si dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë. Pa harruar këtu edhe ngjarjet kulturore e shkencore, siç ishte, bie fjala, Kongresi i Drejtshkrimit  të Gjuhës Shqipe (20 nëntor – 25 nëntor, 1972), si dhe ngjarjet tjera me karakter gjithëkombëtar.

Projekti i ashtuquajtur ‘Historia e shqiptarëve’, në shikim të parë tingëllon mirë si sintagmë, por në realitet sa ky projekt do të arrijë të absorbojë në vetvete të gjitha prurjet e historiografisë në një rrafsh më të gjerë, që shkon përtej kufijve aktual hapësinor e administrativ të Shqipërisë dhe Kosovës?

A po bëhet një projekt administrativ, shtetëror, ideologjik, apo një projekt me të gjitha atributet relevante shkencore e hulumtuese?

Sepse nëse ky projekt ndjek logjikën e mbrapsht të trajtimit të historisë vetëm në suaza të ngushta administrative, ideologjike e shtetërore, atëherë kjo nuk do të jetë histori e shqiptarëve, por histori e elitave dhe administratave shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës. 

Nëse ky projekt ndjek një proces tepër të dhimbshëm që iu ka ndodhur shqiptarëve në skajet periferike të hapësirës së tyre etnike, atëherë po del se bashkë me tkurrjen e kombit tonë, po tkurret edhe historia jonë! Bashkë me boshatisjen e Medvegjës, po ndodhë edhe deformimi i historisë, duke e reduktuar atë në korniza tepër të ngushta.

A guxon të ndodhë kjo?

A guxon të ndodhë që në projektin e ri ‘Historia e Shqiptarëve’ të mungojë trajtimi i themelt i lëvizjeve dhe proceseve historike, sociale, politike, etno-kulturore të shqiptarëve të Pellagonisë, të shqiptarëve të Medevegjës, Preshevës e Bujanocit si dhe gjithë shqiptarëve që ndodhen jashtë Kosovës dhe  Shqipërisë londineze, përfshi edhe ata të Malit të Zi?

Shkrimi i historisë i ngjason shtratit të një lumi. Nëse mundohemi ta devijojmë rrjedhën e lumit, ai herë do kurdo  do të rikthehet në shtratin e vet. Prandaj, edhe autorët e këtij projekti të paralajmëruar do të bënin gabim fatal nëse mundohen ta paraqesin historinë e shqiptarëve si një shtrat artificial ku rrjedha e lumit caktohet sipas kritereve të tejkaluara ideologjike e administrative, vetëm sa për të ruajtur njëfarë fqinjësie false dhe pa kurrfarë sensi me shtetet dhe pushtetet në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi., por në dëm të autoktonisë dhe vijimësisë së pandërprerë territoriale të shqiptarëve në të gjitha hapësirat ku ata ujit i thonë ujë e bukës bukë.

Ekipi i studiuesve që do të merret me projektin ‘Historia e shqiptarëve’