Prishtinë, 9 shtator 2024 – Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve “Shota” nga Prishtina ja njoftuar se trupa e tij e ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në festivalin ndërkombëtar “Zamora Folk Festival” që u mbajt në Zamora të Spanjës, ku e ka fituar çmimin “Grand Premio”.
Në njoftim thuhet se ansambli e ka fituar këtբ çmim në një konkurrencë të fortë me disa nga ansamblet më të njohura nga gjithë bota, përfshirë ansamblet nga Brazili, Panamaja, Kroacia, Malajzia dhe shumë vende të tjera.
“Ansambli ynë ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke fituar çmimin prestigjioz ‘Grand Premio’ në festivalin e njohur ndërkombëtar *Zamora Folk Festival* në Zamora, Spanjë. Ky triumf merr edhe më shumë vlerë duke konkurruar me ansamble të jashtëzakonshme nga Brazili, Panamaja, Kroacia, Malajzia dhe shumë të tjera”, thuhet në njoftimin e “Shotës” në Facebook.
Ky është një arritje e veçantë dhe e paharrueshme për ansamblin, që është shpërblyer për interpretimet e tij të shkëlqyera dhe për paraqitjen e veçantë të traditave shqiptare në një skenë ndërkombëtare.
Të gjithë këta pjesëmarrës ishin përzgjedhur për shkak të cilësisë së lartë dhe ngjyrave kulturore që sollën në festival, duke e bërë garën jashtëzakonisht të fortë.
Gjatë qëndrimit të tyre në Spanjë, ansambli “Shota” ka prezantuar këngët e vallet, veshjet popullore dhe trashëgiminë kulturore shqiptare përpara një publiku që e ka pritur ngrohtësisht.
Performancat e tyre janë pritur me duartrokitje të gjata dhe me entuziazëm të veçantë, shenjë kjo e vlerësimit dhe respektit të publikut spanjoll për artin dhe kulturën shqiptare.
Kjo fitore e rëndësishme është shprehje e punës me përkushtim në promovimin e vlerave kulturore të Kosovës në skenën globale të kulturës.