Kosova do të hapë së shpejti ambasadën e saj në Kolumbi

Bogota, 8 shtator 2024 – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) njofton se Kosova do ta hapë së shpejti ambasadën e saj në kryeqytetin e Kolumbisë, Bogota.

Njoftimi është publikuar pas takimit të zëvendësministres Liza Gashi me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Kolumbisë, Jorge Enrique Rojas, në Pallatin San Carlos, në Bogota.

“Gjatë takimit, zëvendësministrat bënë një analizë të marrëdhënieve dypalëshe dhe shkëmbyen pikëpamje për tranzicionin energjetik dhe ndryshimet klimatike, vizionet për sigurinë njerëzore, shkëmbimet akademike dhe kulturore, bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik, si dhe për bashkëpunimin në shkëmbimin e përvojave në angazhimin e diasporës. Pikë kryesore e takimit ishte hapja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kolumbi”, thuhet në njoftim.

“Hapja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kolumbi do t’i forcojë edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, në të gjitha fushat”, thuhet më tutje në njoftim.

Aty thuhet gjithashtu se hapja e Ambasadës në Bogota është shprehje e përkushtimit të dfiplomacisë kosovare për një prani më të madhe jo vetëm në Kolumbi, por edhe në gjithë Amerikën Latine.

MPJD njofton se zëvendësministrja Gashi e ka falënderuar homologun e saj Rojas për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë Kolumbia në procesin e integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Ajo theksoi nevojën për forcimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. Po ashtu, u propozuan dhe u iniciuan marrëveshje për bashkëpunim ndërmjet Akademive Diplomatike të të dyja vendeve, konsultimet politike dhe liberalizimi i vizave ndërmjet Kosovës dhe Kolumbisë. Këto marrëveshje, pas shqyrtimit dhe ndjekjes së procedurave të nevojshme, pritet të nënshkruhen nga të dyja palët”, thuhet në njoftim.

Ndërsa nikoqiri Rojas e ka shprehur gatishmërinë e Kolumbisë për zgjerimin e marrëdhënieve të mira mes të dy vendeve, përmes nënshkrimit të marrëveshjeve dhe intensifikimit të shkëmbimeve diplomatike.

(r.m.)

Comment

*