Në Leposaviq, bastiset Drejtoria e Thesarit të Bankës Popullore të Serbisë

Prishtinë, 12 shtator 2024 – Policia e Kosovës e ka bastisur të enjten Drejtorinë e Thesarit të Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, ka bërë të ditur se bastisja është kryer me urdhër të Gjykatës Themelore në pjesën veriore të Mitrovicës, në vazhdën e hetimeve për “pastrim parash”.  

Ai ka thënë se gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente, vula, kompjuterë dhe para të gatshme, kryesisht dinarë të Serbisë. Por, ai nuk ka qenë në gjendje të saktësojë shumën e parave të sekuestruara.

Elshani ka thënë se askush nuk është marrë në pyetje në lidhje me këtë rast deri më tash, por ka shtuar se personi përgjegjës në këtë institucion paralel, “me shumë gjasa do të dëgjohet javën e ardhshme”.

Objekti është mbyllur pas përfundimit të bastisjes dhe mbledhjes së provave.

Bastisja e të enjtes u krye tre muaj pas mbylljes së degëve të Administratës së Thesarit në Mitrovicën Veriore dhe të katër degëve të Bankës Kursimore të Postës së Serbisë në komunat veriore të Kosovës, të baznuara me shumicë serbe.

Në fillim të muajit të kaluar, autoritetet e Kosovës i mbyllën nëntë degët e Postës së Serbisë në pjesën veriore të Kosovës.

Objekti i Drejtorisë së Thesarit të Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq ndodhej në të njëjtin objekt ku ishte edhe Autoriteti i Përkohshëm i Komunës së Leposaviqit, i cili u mbyll në fund të muajit të kaluar, gjatë një aksioni tjetër të Policisë së Kosovës që kishte për qëllim mbylljen e institucioneve ilegale të Serbisë në Kosovë.

Dokumentacioni i sekuestruar gjatë këtij operacioni ka përfunduar në Agjencinë e Arkivave të Kosovës, ed cila ka thënë se bëhet fjalë për një “sasi të konsiderueshme të materialit arkivor”.

 (r.m.)