Prishtinë, 5 maj 2021 – Në Kizhevak të Rashkës në Serbi, të mërkurën, kanë rifilluar gërmimet për mbetjet mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se tëmërkurën është bërë dekonzervimi i terrenit, ndërsa të enjten do të fillojë tërheqja e eshtrave.
Në njoftimthuhet se gërmimet vlerësuese dhe zhvarrosjet e mbetjeve mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë do të vazhdojnë në këtë lokacion së paku edhe për dy javë.
“Do të punohet gjashtë ditë në javë, ndërsa të dielën do të bëhet ndërrimi i ekipeve. Ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të jenë në lokacionin e varrezës masive deri në përfundim të procesit”, thuhet në njoftim.
Gërmimet e para në varrezën masive në Kizhevak janë bërë në fund të vitit të kaluar. Atje janë gjetur mbetjet mortore të 4-5 personave.
Gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999, janë zhdukurrreth 6.500 persona. Që nga përfundimi i luftës janë zbuluar disa varreza masive në Kosovë dhe Serbi, në të cilat janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.
Sipas autoriteteve të Kosovës edhe 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, nuk janë gjetur ende.
Autoritetet e Kosovës e akuzojnë Serbinë se nuk ka vullnet të tregojë vendndodhjet e varrezave të tjera masive.
(r.m.)