Beograd, 13 shtator 2024 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shpjegoi të premten përse nuk mori vëendim që territori i Kosovës të shpallet “territor i okupuar” i Serbisë, siç ishte paralajmëruar në disa medie të afërta me pushtetin në Beograd.
Vuçiq tha se ky vendim nuk është marrë sepse do të sillte një sërë pasojash të papranueshme, siç është njohja e Kosovës si shtet i pavarur.
“Okupimi është i mundur vetëm në konfliktet e armatosura ndërkombëtare. Kjo do të thoshte se ne e njohim territorin e Republikës së Kosovës si territor të një shteti tjetër. Për këtë arsye nuk po marrim vendim për të shpallur pushtimin”, shtoi ai.
Përveç kësaj, sipas Vuçiqit, me vendimin për shpalljen e territorit të Kosovës territor të okupuar të Serbisë do të bëhej edhe legalizimi dhe legjitimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Nëse do të shpallej okupimi, grupeve të armatosura të shqiptarëve në Kosovë do t’u njihej statusi i forcës së armatosur legale”, tha Vuçiq, duke shtuar se kjo është arsyeja kryesore për mosshpalljen e territorit të Kosovës territor i okupuar.
Ai theksoi se është shumë e rëndësishme që të mos bëhet legalizimi dhe legjitimimi i forcës së sigurisë së Kosovës.
Presidenti i Serbisë tha gjithashtu se shpallja e “okupimit” do të kishte konsekuenca të tjera, sepse pranimi i okupimit është vepër penale.
(r.m.)