NATO: Vendimi për hapjen e Urës së Ibrit duhet të merret në bashkërendim me bashkësinë ndëkombëtrare

Bruksel, 17 shtator 2024 – Ndihmëssekretari i Përgjithshëm për Operacione i NATO-s, Thomas Goffus, i tha kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, se vendimi për hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë duhet të merret “përmes dialogut dhe në bashkërendim” me bashkësinë ndërkombëtare, njoftoi NATO-ja të martën vonë.

NATO-ja njoftoi në uebsajtin e vet se Goffus, së bashku me komandantin për operacione civile të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së, Stefano Tomat, pati takime të ndara me Bislimin dhe me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, në margjinat e rundit të ri të bisedimeve mes dy vendeve të martën në Bruksel.

“Ndihmëssekretari i Përgjithshëm për Operacione bisedoi për gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe shpalosi shqetësimet e sigurisë në rast të hapjes së mundshme për trafik të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë”, thuhet në njoftimin e NATO-s.

Goffus theksoi nevojën për një “zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate”.

“Ai nënvizoi se vendimet duhet të merren përmes dialogut dhe në kohë të duhur e në bashkërendim me bashkësinë ndërkombëtare, si dhe në një mënyrë që nuk e vë në rrezik komunitetin lokal apo trupat e NATO-s”, thuhet në njoftim.

Ai tha se KFOR-i ka prani mbi urë dhe po vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përrreth.

Qeveria e Kosovës njoftoi në fillim të gushtit synimet e saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve, pasi ajo është e hapur vetëm për këmbësorë.

Hapja e urës – e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe – u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara, BE-ja, por edhe nga vetë misioni i aleancës ushtarake, KFOR, të cilët thanë se ajo nuk duhet të hapet “në këtë kohë”.

(Radio Evropa e Lirë)