Golld Apollo: Pejxherët që shpërthyen në Liban e në Siri janë prodhuar në Budapest

Taipei / Bejrut, 18 shtator 2024 – Kompania Gold Apollo nga Tajvani, tha të mërkurën se kishte autorizuar përdorimin e markës së saj në pajisjet “pagers” që shpërthyen në Liban dhe Siri në një operacion që duket të jetë kryer nga Izraeli që vuri në shënjestër rrjetin e komunikimeve të Hezbollahut, por një kompani tjetër me seli në Budapest i prodhonte ata.

Pajisjet e komunikimit, që njihen si ‘pagers’ të përdorura nga grupi militant Hezbollah, shpërthyen pothuajse njëkohësisht në Liban dhe Siri të martën, duke vrarë të paktën 9 veta, përfshirë një vajzë 8-vjeçare dhe plagosur afro 3 mijë të tjerë.

Hezbollahu dhe qeveria libaneze fajësuan Izraelin për atë që dukej të ishte një sulm i sofistikuar nga distanca.

Një zyrtar amerikan tha se Izraeli informoi Shtetet e Bashkuara të martën pas përfundimit të operacionit, në të cilin shpërthyen sasi të vogla eksplozivi të vendosura fshehtas në pajisjet “pagers”. Zyrtari foli me kushtin që të mos i përmendej emri, sepse nuk ishte i autorizuar të diskutojë publikisht mbi informacionin.

Pajisjet AR-924 u prodhuan nga kompania BAC Consulting KFT, me seli në kryeqytetin e Hungarisë, sipas një deklarate të publikuar të mërkurën nga kompania Gold Apollo.

“Sipas marrëveshjes së bashkëpunimit, ne autorizojmë kompaninë BAC të përdorë markën tonë tregtare për shitjet e produkteve në rajone të caktuara, por dizajni dhe prodhimi janë vetëm përgjegjësi e BAC-it”, thuhet në deklaratë.

Shefi i kompanisë Gold Apollo, Hsu Ching-kuang, u tha gazetarëve të mërkurën se kompania e tij ka pasur një marrëveshje me BAC-in për tre vitet e fundit, por nuk dha prova për kontratën.

Rreth orës 3:30 pasdite të martën, sipas orës lokale, ‘pagers’ nëpër duart apo xhepat e përdoruesve filluan të nxeheshin dhe më pas shpërthyen duke krijuar skena të përgjakshme dhe panik. Siç duket, shumë nga të goditurit ishin anëtarë të Hezbollahut, por nuk ishte e qartë menjëherë nëse edhe individë të tjerë kishin pajisje të tilla.

Shpërthimet e pajisjeve ndodhën kryesisht në zonat ku Hamasi ka një prani të fortë, veçanërisht në periferinë jugore të Bejrutit dhe rajonin Beqaa në lindje të Libanit, sipas zyrtarëve libanezë të sigurisë dhe një zyrtari të Hezbollahut. Zyrtari i Hezbollahut foli me kusht që të mos i përmendej emri sepse nuk ishte i autorizuar të fliste për median.

Hezbollahu, i cili fajëson Izraelin, tha në një deklaratë të mërkurën në mëngjes se do të vazhdojë sulmet e tij të zakonshme kundër Izraelit “sikurse në ditët e kaluara”, si pjesë e asaj që e përshkruan si një front mbështetës për aleatin e tij, Hamasin dhe palestinezët në Gaza. Grupi paralajëmroi Izraelin se do të paguajë “çmim të lartë” për sulmin e së martës.

Hezbollahu filloi të hidhte raketa mbi Izraelin më 8 tetor, një ditë pasi një sulm vdekjeprurës i udhëhequr nga Hamasi në Izraelin jugor shkaktoi një kundërsulm masiv izraelit dhe luftën në Gaza. Që atëherë, Hezbollahu dhe forcat izraelite kanë shkëmbyer sulme pothuajse çdo ditë, duke vrarë qindra në Liban dhe dhjetëra në Izrael dhe duke zhvendosur dhjetëra mijëra veta në të dyja anët e kufirit.

Të mërkurën në spitalet në Bejrut është ulur kaosi i një nate më parë, por të afërmit e të plagosurve vazhduan të prisnin.

Ministri i Shëndetësisë i Libanit, Firas Abiad, u tha gazetarëve gjatë një vizite në spitale të mërkurën në mëngjes se shumë prej të plagosurve kishin plagë të rënda në sy dhe të tjerë kishin gjymtyrë të amputuara. Gazetarët nuk u lejuan të hynin në dhomat e spitalit apo të filmonin pacientët.

Ministri i Shëndetësisë tha se Turqia, Iraku, Irani, Siria dhe Egjipti ofruan ndihmë për trajtimin e pacientëve.

Ekspertët besojnë se materiali shpërthyes ishte futur në pajisjet “pager” përpara dorëzimit dhe përdorimit të tyre. në një ndërhyrje të sofistikuar në zinxhirët e furnizimit.

(Zëri i Amerikës)