Ekstradohet nga Kosova “superhajduti” shqiptar, i dënuar me 25 vjet burg

Tiranë, 6 maj 2021 – Autori i qindra grabitjeve, 24-vjeçari Markelian Cungu, i dënuar në mungesë me 25 vjet burgim nga Gjykata e Tiranës, është ekstraduar të  mërkurën nga Kosova, raporton gazeta “Panorama”.

Cungu është shpallur fajtor për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

Në dhjetor të vitit të kaluar, ai u arrestua në Kosovë, pasi ishte shpallur në kërkim si autor i grabitjes me armë të kryer më 19 janar të vitit të kaluar, në Allias, ku mbetën të plagosur bashkëshortët Petrit dhe Afërdita Laze.

Cungu, në bashkëpunim me Fatjon Mertenikajn, kishin hyrë në banesën e çiftit gjatë natës dhe kishin qëlluar me armë, duke plagosur fillimisht Petritin e pastaj bashkëshorten e tij, Afërditën, të cilët kishin biznes në katin e parë të ndërtesës.

Ngjarja është dokumentuar me prova ligjore nga ana e grupit hetimor, pas analizës së ADN-së së një kampioni pështyme në njërën nga maskat e gjetura jo shumë larg vendit të ngjarjes. ADN-ja ka çuar në identifikimin e njërit prej autorëve, 28-vjeçarit Fatjon Martenikaj, i arrestuar në Rinas gjatë tentativës për t’u larguar nga Shqipëria. Ndërkaq,  ideatori kryesor e ngjarjes, i cili ishte shpallur në kërkim dyshohej se ishte Markelian Cungu, i cili është cilësuar si “superhajdut”, pasi kishte  kryer qindra vjedhje që kur ishte në moshë të mitur. Pas arrestimit, Martenikaj kishtre treguar se planin e grabitjes së çiftit Petrit e Afërdita Laze e kishte thurur Markelian Cungu.

(r.m.)