Nga OraNews
TIRANË – Gjuha shqipe jehon edhe përtej Adriatikut, jo vetëm prej emigrantëve që kanë vendosur ta ndërtojnë jetën atje, por edhe nga pasardhësit e tyre.
Dhe nuk janë pak, por të paktën 80 nxënës do të frekuentojnë ambientet e shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, në Filadelfia (Philadelphia) të SHBA-së, teksa regjistrimet përfunduan të dielën e 15 shtatorit, në ambientet e reja të shoqatës “Bijtë e Shqipes”, e cila ushtron aktivitetin e saj patriotik prej më shumë se 20 vitesh, për të promovuar vlerat e kombit shqiptar.
Emocionet e vogëlushëve përcillnin edhe shpresën se gjuha e rrënjëve të tyre, do të jetojë me ta, pavarësisht se disa prej kan lindur në SHBA.
“Librat janë përgatitur nga Diaspora, të përshtatur për fëmijët që jetojnë këtu dhe 6 mësuese tashmë janë gati të mirëpresin nxënësit, të cilët do të ndahen në 5 klasa.
Mësimi në këto ambiente do të zhvillohet çdo të dielë, nga ora 10 deri në 13.00 dhe online nga ora 16.00 deri në 18.00, për fëmijët që nuk kanë mundësi të frekuentojnë ambientet tona.
Shpresojmë ta përmbushim me dinjitet misionin fisnik të mësuesit, në mënyrë që fëmijët tanë të njihen gjerësisht me traditat, kulturën, zakonet dhe gjuhën tonë të bukur” – thotë Rudina Bani, mësuese dhe nënkryetare e shoqatës “Bijtë e Shqipes”.
Ndërkaq, kryetari i saj, Dritan Matraku, falenderoi prindërit, të cilët kanë vendosur të mos i shkëpusin lidhjet me gjuhën amtare, duke ua përcjellë fëmijëve, si një vlerë të shtuar për komunitetin shqiptar që banon atje.
“U uroj nxënësve një vit të mbarë shkollor dhe shumë suksese në rrugën e tyre drejt dijes për vlerat e pamata të kombit tonë”-shtoi ai.