Fidanishtja e parë e Shkollave Shqipe në Staten Island filloi vitin akademik 2024-2025

18 Vjet Shqip pa u ndalur nëpër Nju Jork

Nga Kozeta Zylo

Është bekim ta fillosh Vitin Akademik 2024-2025 në Staten Island në një nga Shkollat Shqipe “Alba Life” ne NY, Ambasador i Kombit me fidanishten e parë të saj e cila e filloi këtë Mision Kombëtar 18 vjet më parë. Javën tjeter e fillojmë në Brooklyn, Queens, Bronx, Online.

Tek dera e hyrjes i mirëprisnin z. Qemal Zylo themelues dhe drejtor i shkollave, mësueset Entela Muda e licensuar nga shteti amë dhe shteti i Nju Jorkut, mësuese Elona Shkreta e licensuar po ashtu nga shteti amë dhe e integruar në arsimin amerikan si dhe asistentja plot përkushtim Aida Hajri.

Dita e parë e shkollës kudo në botë është emocionante, e magjishme, me vështiësitë e veta, por mbahet mend perjetësisht nga ata që ulen pranë këtyre bangave në shkollën publike amerikane sidomos, kur vijnë për herë të parë.

Nxënësit dhe prindërit vinin grupe grupe pranë kësaj shkolle prestigjioze për të mësuar Gjuhën Shqipe, historinë, kulturën dhe traditat e mrekullueshme. Me kamerat e tyre shkrap e shkrup bënin foto me fëmijët dhe mësueset pranë.

Duket se është bërë një betim si para Zotit dhe Kombit se ne nuk ndalemi për Gjuhen Shqipe edhe pse vështirësitë janë të panumërta, që me sigurimin e nxënësve, bisedimet me prindërit për t’i sjellë fëmijët e tyre pranë shkollave, sigurimin e librave, sjelljen e tyre nga Tirana, marrjen e mjediseve në shkollat publike, pasi filozofia jonë e drejtimit ka qenë:  “Shkolla do shkollë, mjedis shkolle dhe jo gjithëfarë mjedisesh të tjera”. 

Në klasën e mësuese Elonës, klasa e më të vegjëlve Evelyn Mavrici, nxënësja më e vogël në moshën 3 vjeçe përshëndeti duke kënduar “Xhamadani Vija-Vija” plot talent dhe të ardhme pranë kësaj shkolle dhe TV “Alba Life”.

Nxënësit bëjnë pyetje gjithë kuriozitet, të bukura, të lehta dhe të vështira, por dhe ëndërrimtare.  Ja psh: motrat e bukura Martini pyetën: Pse nuk e zhvillojmë mësimin 6 orë?  Pse ne nuk kemi akoma një shkollë shqiptare që të mos marrim me qera mjediset në shkollat amerikane?

Këto pyetje më kanë ngacmuar gjithë jetën në Amerikë, natyrisht marrë nga nxënësit janë më shumë frymëzuese… Ëndrrat dhe shpresat vdesin të fundit…

I dëgjoja dhe mendoja se mënyra e vetme për të zhvilluar një vend më të fortë dhe më të mirë është në se e njohim veten nëpërmjet gjuhës amtare.  Të mos ju mësosh miliona fëmijëve shqiptare të lindur në Diasporë Gjuhën Shqipe është si të hedhesh “bombën në Hiroshima” dhe gjuha të humbas dalëngadalë ndër këta miliona nëpër botë… 

Ikjet e shqiptarëve si në kohët biblike karvan-karvan që në shekujt e kaluar dhe revanshi i tyre që s’po di të ndalet bën që prindërit shqiptarë marrin me vehte brengën më të dhimbshme më gangrenizuese asimilimin e pakuptueshëm tek brezat që lindin dhe rriten në dhera të huaja.

Të kesh një ndjenjë të fortë atdhetarie për veten dhe komunitetin tënd është një bazë e shkëlqyer për t’ju mësuar gjuhën mjaltë pasardhësve. 

Këta nxënës meritojnë shumë e më shumë. 

Dita e parë e shkollës është shumë impresiounuese dhe të motivon për ta vazhduar Misionin Kombëtar që tashmë hymë në vitin e 18-të pa u ndalur.

14 shtator

Staten Island, New York