Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Rikthimi për shqyrtim apo “ripërtëritja” e një peticioni për arsye humanitare është një formë ndihme që i vihet në dispozicion aplikantit kryesor që përfiton nga miratimi i një Formulari I-130, Petition for Alien Relative, të cilin Shërbimet e Emigracionit dhe të Nënshtetësisë të Shteteve të Bashkuara (USCIS) e patën miratuar përpara vdekjes së peticionerit.
Kriteri përzgjedhës bazë për “ripërtëritje” të peticionit për arsye humanitare
Mund të paraqisni kërkesë për “ripërtëritje” të peticionit për arsye humanitare vetëm në rast se jeni aplikanti kryesor i një peticioni të aprovuar I-130, Petition for Alien Relative, dhe peticioneri që paraqiti peticionin për ju, tashmë nuk rron më. Në rast se peticioneri vdes ndërkohë që peticioni I-130 është në pritje të një vendimi, USCIS-i nuk e miraton kërkesën për “ripërtëritje” të peticionit. Megjithatë, është mirë të konsultoni faqen në internet: Basic Eligibility for Section 204(l) Relief for Surviving Relatives https://www.uscis.gov/green-card/eligibilitysection204lreliefsurvivingrelatives pwr të parë nëse kualifikoheni ose jo për ndonjë formë tjetër ndihme.
Personat përfitues nga peticioni që nuk janë aplikanti kryesor nuk mund të paraqesin kërkesë për ripërtëritje të peticionit për arsye humanitare. Megjithatë, nëse aprovohet kërkesa e paraqitur nga aplikanti kryesor, edhe të tjerët që varen prej tij mund të përfitojnë gjithashtu në mënyrë indirekte.
Sipas Seksionit 213A të INA-s, shumica e anëtarëve të familjes dhe emigrantëve që kërkojnë bashkim familjar janë të detyruar të paraqesin Formularin I-864, Affidavit of Support. Në disa raste, historia juaj e punësimit ose faktorë të tjerë mund ta bëjnë formularin I-864 të panevojshëm (Shihni 8 CFR 213a.2(a)(2)(ii)). Në të dyja rastet, vdekja e peticionerit nuk luan rol në mënyrën se si vihet në jetë kërkesa lidhur me formularin I-864. Nëse ju është kërkuar të paraqisni formularin I-864, por ndërkohë peticioneri ka vdekur, atëherë duhet të paraqisni një formular të ri I-864 por tashmë me një sponsor zëvendësues. Sponsori zëvendësues duhet të jetë:
Nënshtetas Amerikan ose dikush që ka green card;
Të ketë mbushur moshën 18 vjeç; dhe
Bashkëshorti/ja juaj, prindi, vjehrra, vjehrri, vëllai, motra, fëmija, djali, vajza, dhëndri, nusja, kunata, kunati, gjyshi, nipi ose kujdestari ligjor.
Miratimi ose jo i kërkesës për ripërtëritje të peticionit për arsye humanitare është diskrecional. Ushtrimi i diskrecionit do të thotë që USCIS do të “peshojë” faktorët pozitivë dhe ata negativë për të vendosur. Përveç përmbushjes së kërkesave bazë për “rikthim për arsye humanitare”, kërkesa juaj duhet të jetë e tillë që të mundësojë një ushtrim të favorshëm të diskrecionit, që do të thotë se faktorët “pozitivë” në plotësimin e kërkesës suaj duhen të kenë më shumë peshë se faktorët negativë.
Si të paraqesësh Kërkesë për Rikthim për Shqyrtim të Peticionit për Arsye Humanitare
Nuk egziston asnjë formular apo tarifë për këtë lloj procesi. Thjesht nevojitet t’i paraqisni zyrës së USCIS-it që ka aprovuar peticionin fillestar një kërkesë me shkrim të cilën duhet ta shoqëroni me dokumenta mbështetës.
Kur bëni kërkesë për rikthim për arsye humanitare, sigurohuni që në kërkesë keni futur:
- Emrin tuaj dhe atë të peticionerit të vdekur;
- Numrin që gjendet në njoftimin e marrjes së peticionit;
- Numrin e regjistrimit të të huajit (i njohur si A-number), nëse e keni një të tillë;
- A-number të të afërmit tuaj, nëse e ka patur një të tillë;
- Çertifikatën e vdekjes së të afërmit tuaj (të shoqëruar me përkthim të çertifikuar, nëse çertifikata nuk është në gjuhën angleze);
- Një formular I-864 nga sponsori zëvendësues; dhe
- Dëshmi që faktorët pozitivë në rastin tuaj ia kalojnë atyre negativë gjë që garanton një ushtrim të favorshëm të diskrecionit. Këtu mund të përfshihen mes të tjerave:
- Ndikimi që do të ketë mbi familjen që banon në Shtetet e Bashkuara (sidomos nënshtetasit amerikanë, ata të pajisur me green card apo ata që gjenden aty në mënyrë të ligjshme); Mosha e madhe apo problemet shëndetësore të përfituesit apo cilitdo prej anëtarëve të familjes së përfituesit që do t’i shkonin pas; Banimi në mënyrë të ligjshme në Shtetet e Bashkuara për një periudhë të gjatë kohe; Lidhjet (apo mungesa e lidhjeve) me vendlindjen tuaj; Faktorë të tjerë si vonesa të pazakonshme të proçesimit të çështjes nga ana e qeverisë; dhe faktorë të tjerë që besoni se mund ta anojnë çështjen në favor të rikthimit për shqyrtim të peticionit, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës në mbështetje të tyre.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]