Prishtinë, 6 maj 2021 – Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Gërliq Radman, ka njoftuar se Kroacia ka ndarë për Kosovën 10.000 vaksina kundër koronavirusit.
Radman i ka bërë këtë njoftim në Prishtinë, pas takimit me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Donika Gërvalla.
“Me kënaqësi të veçantë e kam informuar zonjën ministre rreth vendimit të Qeverisë së Kroacisë për dhënien e një donacioni prej 10.000 dozave te vaksinave kundër koronavirusit për Republikën e Kosovës. Besojmë se ky donacion do të jetë i mirëseardhur për mbrojtjen e njerëzve”, ka thënë ai në konferencën për media, pas takimit.
Më 4 maj, Kosova ka rinisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit, pas pranimit të 4,680 vaksinave të kompanisë Pfizer/BioNTech.
Kjo është pjesa e parë e 95,000 dozave që Bashkimi Evropian i ka ndarë për Kosovën, në kuadër të mbështetjes së vaksinimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.
(r.m.)