Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq është frikacak sepse nuk e thotë të vërtetën dhe e gënjen popullin e tij. Shumëkush e beson atë që e thotë ai. Kjo është e trishtueshme.
Ata i besojnë njeriut që është gënjeshtar i dëshmuar, i prirur që popullin e vet ta tërheqë zvarrë drejt vdekjes, urisë dhe varfërisë, në mënyrë që partia e tij të marrë sa më shumë vota në të ashtuquajturat zgjedhje, të kontrolluara nga shërbimet sekrete, të zhytura thellë në krim dhe vdekje.
Kosova është shtet i pavarur. Kjo është fjalia që, duke pasur parasysh shkallën e verbërisë së popullit, duhet të ishte lëndë mësimore në shkollën fillore. Në vend se materia shkollore e bazuar në propagandën e një politike të krimeve të luftës. Politikat e Aleksandar Vuçiqit, Vojisllav Sheshelit, Ivica Daçiqit, Sllobodan Millosheviqit dhe gjithë shërbimit sekret, vrasësve, kriminelëve dhe hajdutëve edhe sot e kësaj dite janë të përfaqësuar në media, në shkolla, në kulturë dhe në politikën arsimore… Në Serbi ato kanë vazhduar pa ndërprerë prej më shumë se tridhjetë vjetësh.
Kosova është shtet i pavarur.
Këtë duhet ta thotë dikush që ka ndikim.
Ndërpreni më në fund helmimin e fëmijëve, ruajtjen e pasurive tuaja të krijuara mbi politikën e nxitjes së urrejtjes ndaj joserbëve dhe ndaj pjesëtarëve të popujver të Jugosllavisë së vjetër.
Pra, pranoni se në këtë përfundim ka çuar politika e kriminelëve, e cila, të mos harrojmë kurrë, i ka diskriminuar dhe i ka vrarë mijëra shqiptarë të Kosovës derisa ajo ishte ende pjesë e Serbisë. Gjatë viteve të nëntëdhjeta. “Ne” i rrënuam me tanke shtëpitë e tyre, i dëbuam gati një milion prej tyre. Këto të gjitha janë të shkruara në dokumentet e OKB-së, anëtare e së cilës jeni.
Atëherë nuk protestuat. Sepse represioni dhe agresioni i kriminelëve ndaj popullit të vet është pothuajse i njëjtë me ato ndaj popujve të tjerë. Disa keqbwrws e kanw mbjellur farën e urrejtjes të tillë te populli i tyre për të justifikuar veprimet dhe mënyrat e tyre të të jetuarit në liri dhe të të gëzuarit të gjithë pasurive që i kanë vjedhur.
Është e qartë se vetëm një pjesë e publikut në Serbi nuk i pranon faktet të cilat i di e gjithë bota dhe në bazë të tyre e ndërton të ashtuquajturin “rend”, i cili nuk mund të jetë aq i pakuptimtë sa paraqitet këtu. Kjo është ajo bota në në të cilën donte që të hynim madje edhe regjimi i Aleksandër Vuçiqit, por edhe i Boris Tadiqit e Vojisllav Koshtinicës.
Së këndejmi, le të kujtojmë çfarë ka ndodhur në Kosovën e viteve nëntëdhjetë. Ata që e simpatizojnë Vuçiqin, mediat dhe personazhet publike që e mbështesin atë, por edhe ata të krahut tjetër, do t’ia falnin të gjitha vetëm nëse ai vazhdon me këtë “ritëm” të gënjimit të qytetareve dhe të qytetarëve të Serbisë, duke theksuar se Kosova është pjesë e Serbisë. Duke shmangur të flasë për të kaluarën kriminale të luftës së ekipit të tij.
Ekziston edhe një vështrim “romantik” i kësaj historie – se Kosova nuk do të jetë kurrë e pavarur nga Serbia, çfarëdo që të ndodhë. Shumë prej tyre edhe besojnë vërtet se de facto Kosova është e pavarur, por, për shkak të kësaj dhe mallkimit, në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, e shprehin urrejtjen ndaj ndaj njerëzve që janë shqiptarë, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me politikën zyrtare. Me këtë apo me atë. Të Kosovës apo të Serbisë.
Duke pritur që njerëzit e tillë të dalin nga vrima dhe të heqin dorë nga “hedhja e urrejtjes” së tillë nga qendrat mediatike në Serbi, shohim se si pikërisht inspiruesit e bindjeve të tyre i kanë lënë në baltë ata për të cilët gjoja kujdesen më së shumti, i kanë lënë të gjallojnë në Kosovë, ndërsa shërbimet sekrete dhe politika zyrtare në të cilën ata kanë uzdajë nuk u kanë ofruar kurrfarë zgjidhjeje.
Zgjidhja e tyre e vetme është që këta të përvuajtur t’u besojnë.
Se Kosova nuk është e pavarur dhe nuk është shkëputur nga Serbia.
Aleksandar Vuçiqi është frikacaku më i madh në historinë e “sundimtarëve” serbë. Në fillim të viteve të nëntëdhjeta, ai i nxiti të gjitha serbet dhe serbët për luftë, i nxiti të vrisnin ose të ekspozoheshin që të vriteshin. Nga Kroacia e pastaj nga Bosnja e deri në Kosovë. Nuk e ka harruar asnjërën dhe asnjërin.
Ai është frikacak sepse qytetaret dhe qytetarët e komunitetit serb në Kosovë i ka lënë pa mbrojtje, viktima të politikës së tij, e cila është kontradiktore dhe që i shërben vetëm për të mbetur në pushtet.
Ai i gënjeu të gjithë, sikurse edhe qytetaret dhe qytetarët e Serbisë. Nuk është i pari. Shpresojmë të jetë i fundit. Para tij këtë e kanë bërë edhe Vojisllav Koshtunica dhe Boris Tadiqi.
Kush është akoma i çmendur të mendojë se Kosova nuk është shtet i pavarur dhe se procesi i pavarësisë nuk ka përfunduar?
Le të përsërisim, ende ka romantike dhe romantikë që shpresojnë për njëfarë drejtësie historike, siç e shohin ata, në një të ardhme, sikur ajo e ardhme do të ketë ndonjë tipar të së tashmes dhe karakteristika mbi të cilat e bazojnë romantizmin e tyre sot.
Mbetja në pushtet e të gjithëve, Vuçiqit, sikurse edhe e atyre para tij, varet nga ajo se sa janë në gjendje t’i mbajë njerëzit në lajthitje, në mënyrë që të mos përfundojnë prapa grilave për shkak të korrupsionit të bazuar në politikën kriminale të luftës.
Por, kjo do të ishte gjëja më e mirë për të gjithë.
(Përkthyer nga DANAS)