Uashington, 21 shtator 2024 – Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka deklaruar se arritja e një marrëveshjeje për armëpushim në Rripin e Gazës është ende e mundur, duke theksuar se përpjekjet për këtë duhet të vazhdojnë.
Biden ka theksuar gjithashtu se duhet të vazhdojnë edhe përpjekjet për parandalimin e eskalimit të konfliktit midis Izraelit dhe Libanit.
“Duhet të sigurohemi që njerëzit në Izraelin verior, si dhe në Libanin jugor të kthehen të sigurtë në shtëpitë e tyre”, ka thënë Biden në një takim me gazetarë në Delaware, raporton Skynews.
Bisedimet për armëpushim në Gazë kanë vazhduar me disa propozime të paraqitura të cilat janë hedhur poshtë, për arsye të ndryshme.
Hamas këmbëngul se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që nuk e përfshin tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Rripi I Gazës, ndërsa Izraeli ka deklaruar se nuk do të nënshkruajë marrëveshje armëpushim derisa të çmontohet gjithë kapaciteti ushtarak i Hamasit.
Nga shpërthimi i konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit, më 7 tetor të vitit të kaluar, janë vrarë mbi 40 mijë palestinezë dhe 1200 izraelitë.
(r.m.)