Pas takimit me botuesin e gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami, kongresisti Joe Morrelle i bashkohet Kaukusit Shqiptar

Ky është kongresisti i tretë që i bashkohet grupit të miqve tanë në Kongres, pas bisedave me botuesin Bajrami; dy të tjerët janë përfaqësuesit Grace Meng (New York) dhe Seth Moulton (Massachusetts)

 

Nga Ruben Avxhiu

Kongresisti Joe Morelle ka deklaruar sot se i është bashkuar Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kaukusin Amerikan.

Pak ditë më parë, botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, Vehbi Bajrami kishte zhvilluar një takim me ligjvënësin amerikan në New York, gjatë të cilit i kishte kërkuar që të bashkohej me këtë grupim kongresistësh që ndihmon çështjen shqiptare.

“Kam kënaqësinë të njoftoj se i jam bashkuar Kaukusit Kongresional të Çështjeve Shqiptare”, thuhet në deklaratën e kongresistit Morelle. “Kjo nënvizon përkushtimin tim të thellë për të përforcuar marrëdhënien e Amerikës me Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit…”

Ai thotë se është gati t’u bashkohet veprimtarëve dhe kolegëve në Kongres për t’iu përgjigjur kërkesave më të rëndësishme të komunitetit shqiptar.

Botuesi Vehbi Bajrami shprehu kënaqësinë për këtë njoftim.

“Kur ia paraqita kërkesën gjatë bisedës sonë, e pranoi me kënaqësi dhe tani e mbajti premtimin”, tha ai.

Këto takime mbahen në kuadër të lobimit për Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që jetojnë në Ballkan. Një pjesë e kongresistëve dhe zyrtarëve amerikanë dinë pak në mos aspak për problemet e shqiptarëve në Ballkan, apo edhe për forcën e komunitetit shqiptar në SHBA.

Ky është i treti kongresist që i bashkohet Kuakusit pas takimeve me botuesin e gazetës “Illyria”. Dy të tjerët kanë qenë kongresistët Grace Meng dhe Seth Moulton.

“Është e rëndësishme që lobimi ynë të mos ndalet”, thotë Vehbi Bajrami.

Kongresisti Morelle është një Demokrat nga Distrikti 25 në veri të shtetit të New Yorku-t, që përfshin kontetë e Monroe dhe Orleans, me qendër qytetin Rochester. Ai bën pjesë në Komitetin e Fuqishëm të Përkatësimeve dhe është Nënkryetar, apo Anëtari më i Lartë Demokrat, në Komitetin e Administrimit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Kaukusi i Çështjeve Shqiptare bashkon kongresistë nga të dy partitë kryesore amerikane dhe lufton që zëri i shqiptarëve të dëgjohet në Washington. Ai lufton për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë Veriore, Mal të Zi, dhe territore të tjera të banuara nga shqiptarët dhe e sheh të ardhmen e tyre në NATO dhe BE.

 

 

Screenshot