‘Tollonat e drekës’ së policëve ushqejnë rrjetin e supermarketeve të Samir Manes

Blerina Gjoka, BIRN

 

Vendimi i qeverisë për ndryshimin e skemës së kompensimit ushqimor po kushtëzon mijëra punonjës të Policisë së Shtetit që t’i shpenzojnë paratë e tyre në rrjetin e supermarketeve SPAR – duke cenuar lirinë e tyre dhe konkurrencën në treg.

 

Në dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave ndryshoi skemën e trajtimit ushqimor për mijëra punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët për shkak të orëve të gjata të punës përfitojnë kompensim financiar ekuivalent me vaktet e munguara të drekës.

Sipas vendimit të qeverisë, shuma e kompensimit financiar nuk do të transferohet më në llogarinë e tyre të pagës, por në një llogari të posaçme bankare përmes së cilave mund të kryhen transaksione vetëm në njësi tregtare ushqimore apo rrjete supermarketesh.

Bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla nxorri një udhëzim në maj, ku vendosi kritere për bankat e nivelit të dytë që do të ofronin kartën e posaçme si dhe për rrjetet e supermarketeve që do ta pranonin atë në këmbim të ushqimeve.

Por edhe pse udhëzimi premtonte se punonjësit e policisë do të kishin mundësi të zgjidhnin bankën e nivelit të dytë dhe supermarketet ku do ta shpenzonin bonusin, të dhënat e siguruara nga BIRN  tregojnë se ata patën vetëm një zgjedhje; Tirana Bank dhe rrjetin e supermarketeve SPAR – të dyja në zotërimin e grupit “Balfin” në pronësinë e biznesmenit Samir Mane.

Një numër punonjësish të Policisë së Shtetit i thanë BIRN në kushtet e anonimatit se aplikimet për kartat e posaçme në Tirana Bank ishin kryer nga zyrat e tyre të punës, ku edhe ishin informuar se mund t’i përdornin ato në supermarketet e rrjetit SPAR.

“Më lajmëruan ata të punës që të shkoj të tërheq kartën dhe më thanë që mund ta përdor vetëm tek një dyqan,” i tha BIRN një punonjës policie nga një qytet i vogël verior, i cili vetëm pas disa përpjekjesh e identifikoi dyqanin në fjalë si “SPAR”.  “Tani jam i detyruar të vij në Tiranë të blej ushqimet, se këtu nuk e kemi,” shtoi ai.

Kreu i Sindikatës së Policisë së Shqipërisë, Sadetin Fishta e denoncoi si të padrejtë dhe fyes procesin që u diktonte punonjësve të policisë së Shtetit Bankën e Tiranës apo supermarketet e rrjetit SPAR, duke paralajmëruar se do ta ankimonte atë në rrugë administrative dhe ligjore.

“Ka urdhër për të shkuar të gjithë në një bankë, se kush i çoi listat pra tek kjo banka dhe policët vetëm shkojnë e tërheqin kartën,“ i tha Fishta BIRN, duke e quajtur diskriminues edhe kushtëzimin për të blerë një listë të kufizuar produktesh në SPAR.

Ish-ministri i brendshëm, Taulant Balla mohoi që të ishin favorizuar vetëm dy biznese, ndërsa këmbënguli se ishin ndërmarrë procedura transparente me të gjitha bankat dhe supermarketet.

“Si në të gjitha rastet e ngjashme edhe në vendet e tjera, ka qenë një proces i hapur ku janë ftuar të marrin pjesë 14 banka dhe të gjithë rrjetet e supermarketeve në Shqipëri,” tha Balla për BIRN.

Tirana Bank dhe kompania e rrjetit të supermarketeve “Spar Albania” sh.p.k mohuan që të kishin një marrëveshje të drejtëpërdrejtë dhe ekskluzive me Ministrinë e Brendshme, ndërsa theksuan se kishin shfaqur interes dhe ishin përfshirë në këtë inisiativë duke plotësuar kriteret në përputhje të plotë me udhëzimin e ministrit të Brendshëm.

Të dyja kompanitë pretenduan gjithashtu se nuk ishin të vetmet që po e ofronin shërbimin, por nuk vendosën në dispozicion emrat e bashkëpunëtorëve të tyre, duke thënë se ky informacion “mbrohej nga sekreti tregtar”.

BIRN pyeti katër rrjete të mëdha supermarketesh në Tiranë, përveç SPAR-it, dhe asnjë prej tyre nuk ofronte shërbim për punonjësit e Policisë së Shtetit përmes kartave të posaçme të bonusit ushqimor.

Ministria e Brendshme nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi se kush ishin bankat e nivelit të dytë dhe rrjetet e supermarketeve që ishin kualifikuar për ta ofruar këtë shërbim.

Tollonat e ushqimit

Policia e Shtetit ka rreth 10 800 efektivë të cilët trajtohen me ushqim pa pagesë mbi bazën e një vendimi të Këshillit të Ministrave të marsit të vitit 2017. Në mungesë të mensave apo të shërbimeve catering në komisariatet e policisë, ky shërbim kompensohej prej shtatë vitesh në para në llogaritë bankare të pagës së tyre.

Çdo punonjës policie kompensohet me 450 lekë për një vakt të munguar dreke për ditët kur kohëzgjatja e punës është tetë orë dhe me tri vakte ose 1350 lekë për ditët kur janë të angazhuar në veprime operacionale ose procese zgjedhore që zgjasin përtej tetë orëve të zakonshme të punës.

Përmes një akti normativ, qeveria akordoi së fundmi një fond prej 1.3 miliardë lekësh ose 13 milionë euro për të kompensuar bonusin e prapambetur ushqimor për punonjësit e Policisë së Shtetit për periudhën janar- gusht 2024. Përgjatë një viti, Ministria e Brendshme llogaritet të shpenzojë rreth 2 miliardë lekë ose 20 milionë euro në total si kompensim ushqimor për punonjësit e Policisë së Shtetit.

Edhe pse shpeshherë shpërndahej me vonesë, bonusi ushqimor ishte një ndihmë për familjet e punonjësve të policisë, të cilët e përfitonin atë në cash dhe e shpenzonin sipas nevojave të tyre. Por përmes një vendimi të papritur në dhjetor 2023, qeveria vendosi që ta disbursonte kompensimin përmes një karte të posaçme bankare, e cila mund të përdorej vetëm për të blerë produkte ushqimore në supermarkete.

Udhëzimi i ministrit të Brendshëm në zbatim të VKM-së shkon edhe më tej, duke u kërkuar bankave të interesuara si produkt një kartë të posaçme me vetëm një funksion; përdorimin për blerjen e produkteve ushqimore në supermarkete.

Një kartë e tillë nuk mundëson tërheqjen e parave fizike nga sportelet apo ATM-të, transfertat dalëse apo çdo veprim tjetër që kryhet me kartat e zakonshme të debitit – një produkt që rikthen në kujtesë tollonat famëkeqë ushqimorë gjatë periudhës së komunizmit.

Udhëzimi përcakton gjithashtu që bankat e nivelit të dytë duhet të sigurojnë që karta e posaçme të funksionojë me çdo njësi tregtare ushqimore, por “i japin përparësi” atyre njësive tregtare që sigurojnë ulje jo më pak se 5% të të gjitha produkteve ushqimore dhe jo më pak se 10% për produktet e shportës.

Zyrtarët shtetërorë pretendojnë se procesi i parashikuar në udhëzim ka qenë i hapur dhe jofavorizues, por në përfundim të tij, mijëra punonjës policie u orientuan që të trokisnin drejt Tirana Bank për të siguruar kartën e posaçme, ndërsa kjo e fundit duket se funksionin vetëm pranë rrjetit të supermarketeve SPAR.

Një ish-zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme, që foli me kushtin që të mos citohej me emër, këmbënguli për BIRN se procesi kishte qenë i hapur dhe madje kishte nxitur konkurrencën mes bankave për ofrimin e një produkti të veçantë për Policinë. I pyetur se pse në fund të procesit vetëm Tirana Bank e ofronte këtë kartë, ai sugjeroi: “ndoshta ajo ka kuptuar se sa interes ka një produkt i tillë”.

Tirana Bank i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se kishte zhvilluar dhe implementuar produktin e Llogarisë së Posaçme bankare pasi ishte njohur me udhëzimin e ministrit të Brendshëm dhe kriteret e tij, për të cilin tha se u ishte adresuar të gjitha bankave të nivelit të dytë dhe njësive ushqimore në vend.

Banka tha gjithashtu se u kishte shërbyer përmes këtij mekanizmi të gjithë punonjësve të Policisë që ishin paraqitur në sportelet e saj dhe se deri tani “ka firmosur me tre supermarkete”, por nuk i vuri në dispozicion emrat e tyre.

“Tirana Bank është plotësisht e hapur për të bashkëpunuar me çdo njësi tregtare ushqimore dhe rrjet supermarketesh që plotëson kushtet dhe kriteret e përcaktuara në udhëzimin Nr. 95, datë 30.05.2024,” u përgjigj Tirana Bank.

Edhe kompania “Spar Albania” sh.p.k i tha BIRN se ishte njohur fillimisht me procesin përmes udhëzimit të dërguar nga Ministria e Brendshme dhe më pas ishte kontaktuar nga institucionet bankare të nivelit të dytë, që kishin shprehur interesin për të bashkëpunuar.

“Aktualisht kemi konfirmuar bashkëpunimin me 2 institucione bankare dhe jemi në diskutime për të finalizuar edhe me disa banka të tjera,” tha Spar Albania sh.p.k.

Drejtori i komanduar i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga mohoi që punonjësit e policisë ishin detyruar që të merrnin kartën vetëm në Tirana Bank, por nuk ishte në gjendje që të përmendte ndonjë bankë apo supermarket tjetër që e ofron këtë shërbim.

“Në këtë proces kam qenë aktor jo-vendimmarrës,” tha Bizhga, duke sugjeruar që të pyesnim drejtues të tjerë që ishin marrë me zbatimin e udhëzimit të ministrit.

Hapësirë për favorizim

Ndërsa zyrtarët e Ministrisë së Brendshme pretendojnë se e kanë kryer në rregull procesin, ekspertët e ekonomisë shohin probleme që në mënyrën se si është formuluar vendimi i Këshillit të Ministrave dhe udhëzimi i Ministrit të Brendshëm, të tilla që cënojnë konkurrencën.

Eduart Gjokutaj, themelues i “Altax”, një organizatë për edukimin financiar me qendër në Tiranë i tha BIRN përmes një analize të detajuar se formulimet e këtyre akteve lënë hapësirë për favorizimin e disa bizneseve.

Gjokutaj tha se në këtë rast është anashkaluar tenderimi bashkë me konsultimin publik, duke miratuar një akt nënligjor që përmban kritere të cilat duhej të ishin zbatuar përmes një tenderi. Ai theksoi gjithashtu se ka kontradikta mes udhëzimit dhe ligjit për bankat, mungon një marrëveshje me institucionin publik për ofrimin e një shërbimi të posaçëm, siç është llogaria bankare pa komision, ka paqartësi në procesin e përzgjedhjes së operatorëve tregtarë si ekzistojnë formulime që bien ndesh me legjislacionin tatimor.

“Në rastin kur pas nxjerrjes së akteve ligjore rezulton se mundet të përfitojë vetëm një grup biznesesh të lidhura (pra në kushte oligopole të tregut), atëherë kuptohet që përveç aktivizimit të Autoritetit të Konkurencës, duhet të bëhet një analizë për kapje të procesit,” tha Gjokutaj, duke ngritur pikëpyetje për “trafik interesi” apo “vullnet politik të korruptuar”.

Kreu i Sindikatës së Policisë së Shqipërisë, Sadetin Fishta paralajmëroi se do ta vazhdonte betejën për heqjen e kufizimeve mbi mënyrën se si punonjësit e policisë do ta shpenzonin bonusin ushqimor.

“Punonjësit duhet të jenë të lirë të blejnë në të gjitha dyqanet ose të kenë mundësinë ta tërheqin në lekë,” këmbënguli ai në një bisedë telefonike me BIRN.

Edhe një oficer policie, që foli me BIRN në kushtet e anonimatit nga frika e ndonjë hakmarrjeje, u ankua se një e drejtë e fituar me ligj po u kushtëzohej rrugës.

“Ato para më takojnë për punën time në shërbim të shtetit dhe do doja t’i shpenzoja për hallet e mia, të ndihmoja shkollimin e fëmijëve për shembull dhe jo t’i blej vaj e oriz tek dyqani që na kanë caktuar ata,” tha ai.

(Reporter.al)