KFOR-i dhe Ushtria e Serbisë kryen një patrullim të sinkroniaur në kufirin Kosovë-Serbi

Prishtinë, 26 shtator 2024 – Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe Ushtria e Serbisë kanë kryer një patrullë të sinkronizuar në dy anët e kufirit të Kosovës me Serbinë, pranë komunës së Podujevës.

“Ushtarët polakë të dislokuar në Komandën Rajonale Lindje të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, kryen një patrullim të sinkronizuar me Forcat e Armatosura të Serbisë, përgjatë të dy anëve të vijës kufitare administrative, afër komunës së Podujevës. Këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it për të mbështetur sigurinë afatgjatë në mbarë Kosovën dhe stabilitetin rajonal”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Në njoftim kujtohet se mandate i KFOR-it buron nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“KFOR-i vazhdon të ushtrojë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, të kontribojë për një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë tha se në patrullim me pjesëtarët e KFOR-it kanë marrë pjesë ushtarë të vendosur në bazën ushtarake Shushnjak, afër Kurshumlisë.

“Janë ndarë informacione për situatën në terren dhe janë mbledhur të dhëna të rëndësishme për zbatimin e detyrave në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e ministries serbe..

Ministria serbe tha po ashtu se ushtria serbe bashkëpunon vazhdimisht me KFOR-in në Zonën e Sigurisë Tokësore.

Zona e Sigurisë Tokësore mes Kosovës dhe Serbisë është prej 5 kilometrash dhe është përcaktuar në Marrëveshjen Teknike të Kumanovës.

Misioni i NATO-s në Kosovë është përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë. Pjesën tjetër të vijës kufitare të Kosovës me Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut e mbikëqyr Policia e Kosovës.

(r.m.)